Është i nevojshëm angazhimi nga të gjitha palët e interesuara për implementimin e vërtetë të Strategjisë për përmirësimin e gjendjes së romëve në shtet. Të drejta të barabarta dhe jetë dinjitoze për të gjithë, është rruga e vetme për një vend të përbashkët të suksesshëm. Për këtë nuk janë të mjaftueshme vetëm konferencat dhe projektet, por edhe veprimi për ndërtimin e vërtetë të shoqërisë gjithëpërfshirëse shoqërore.
Kjo ishte theksuar sot në ngjarjen e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut me rastin e shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Romëve, 8 Prilli, “Sfidat dhe perspektivat e romëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut” në organizim të Shoqatës së Qytetarëve “Romaverzitas”.
Kryeministri Zoran Zaev tha se Qeveria ka vullnet të fuqishëm politik për zbatimin e vërtetë të strategjisë për përmirësimin e gjendjes së romëve në shtet.
Zv.kremnistri për Çështje Evropiane Bujar Osmani, tha se romët janë sigurisht numri më i madh i qytetarëve në botë të pranishëm kudo, por me siguri askund nuk janë të mbrojtur dhe të pranuar mjaftueshëm.
Eurokomisari Samuel Zhbogar, theksoi se BE-ja e di se ka një diskriminim të madh dhe vështirësi të mëdha me të cilat ballafaqohen romët në jetën e tyre sociale dhe se në pjesën më të madhe të vendeve ka programe me fonde evropiane të cilat fokusohen në këtë çështje.
Nadir Rexhepi, Drejtor Ekzekutiv i Fondit për Edukimin e Romëve (REF), tha se, si për popujt e tjerë edhe për romët, emancipimi dhe vetë-emancipimi janë thelbësore për procesin e përcaktimit të planeve kolektive.
Ndryshe, Dita Ndërkombëtare e Romëve – 8 prilli u shpall zyrtarisht në vitin 1990 në Kongresin Botëror të Unionit Ndërkombëtar Rom në Poloni. Në kongres, përfaqësuesit e romëve nga 14 vende morën vendime për flamurin, himnin, shpalljen e gjuhës rome dhe futjen e termit rom. Në Kongresin e Parë të Romëve në Londër në vitin 1971, gjuha rome u shpall si gjuhë zyrtare e të gjithë romëve në botë./Telegrafi/