Një sulmues vetëvrasës ka hedhur vetën në erë në afërsi të Konsullatës amerikane në qytetin e Arabisë Saudite, Jeddah, bën të ditur Ministria e Punëve të Brendshme.
Si pasojë e sulmit janë plagosur dy oficerë të sigurisë, ndërsa nuk ka viktima, shkruan BBC, transmeton KosovaPress.
Sulmi u shënua në orët e para të shënimit të ditës së pavarësisë së SHBA-ve.
Kjo Konsullatë ishte cak i militantëve edhe më herët, ku si pasojë e një sulmi në vitin 2004, kishin mbetur të vdekur nëntë persona.
Departamenti Amerikan i Shtetit tha se ishte në dijeni për këtë shpërthim, andaj edhe janë siguruar i gjithë personeli, në mesin e të cilëve nuk ka të lënduar.
Ambasada e SHBA-ve në Arabinë Saudite ka lëshuar një paralajmërim pas sulmit, duke u bërë thirrje amerikanëve që të marrin masa kur udhëtojnë në të gjithë vendin, për shkak të rrezikut.