Site icon Telegrafi

Dita e parë në Kosovën e lirë

Ilustrim

Mimoza Gjevori

Në kohë lufte e trishtimi, të kërcënuar nga forcat serbe, me dhimbje e lëshuam Kosovën. Ishte maji i vitit 1999. Kisha lënë prindërit në Prishtinë, familjarë, e një pjesë të shoqërisë… Prindërit megjithatë ishin të gëzuar, meqë ne fëmijët ishim larguar. Shumë e shumë fëmijë të tjerë mbetën të vrarë, pa prindër, pa familjarë…

Në rrugët e Shkupit na thanë se Ushtria britanike – që kishte zbarkuar në Maqedoni – po kërkonte të rinj e të reja që flisnin gjuhën angleze. Nxituam drejt një fushë të gjerë jashtë qytetit. Ishim tre vetë, unë, Kujtim Gjevori (sot bashkëshorti im) dhe Besnik Tahiri (sot koordinator nacional për Reforma Shtetërore).

Hyrja e trupave të NATO-s në Kosovë pritej shpejtë të ndodhte. U pajisëm njëjtë si ushtarët britanikë, përveç armëve të zjarrit. Isha me kondicion të mirë. Pajisjet, ushqimet dhe uji që duhet t’i mbaja ishin sa gjysma e peshës sime.

Jo larg kufirit të Kosovës, ishim ne dhe pjesëtarët elitarë te Ushtrisë britanike që vinin nga një vend i largët, nga kulmi i botës – Himalajat. Ishte legjioni legjendar Gurka, nga Nepali – të sjellshëm e fjalëpak. Askush nuk do të donte të përballej me ta. fakti se hynë të parët në Kosovë, tregon profilin e tyre.

Më 11 qershor 1999 na thanë të bëhemi për Kosovën. Forcat ruse tashmë ishin në Prishtinë. Shikoja matanë maleve dhe mendoja për fatin e njerëzve që kishin mbetur në Kosovë. Krejt papritur, operacioni u anulua. Shkuam të pushonim, por jo gjatë. Pak pas mesnate, ushtarët na thirrën. Duhej të niseshim menjëherë! Nuk e besoja që po ndodhte. Po niseshim për Kosovë. Zemra e kishte marrë trupin nën kontroll dhe nuk po ndjeja frikë e as lodhje nga barra e rëndë.

Po agonte dita e 12 qershorit 1999, ku helikopterët me dyer të hapura, me ushtarë e me armë te sofistikuara, të gatshëm për t’i përdorur, zbarkuan tek ura e parë nga drejtimi i Shkupit për Prishtinë. Ishim ne Kosovë në agun e mëngjesit dhe kërcyem nga helikopteri. Rreziku i minave ishte kudo. Ne mund të lëviznim vetëm në rrugë te asfaltuara. Njësive deminuese iu desh t’i çaktivizonin mjetet shpërthyese në tunelin e parë – dy nga ushtarët gurka u bënë sakrifica e parë për Kosovën e lirë, derisa po lironin rrugën.

Disa ditë më parë, me frikë e me dhimbje kisha kaluar kufirin, duke lënë Kosovën pas. Forcat serbe ishin të bindura se kthim prapa nuk ka! Por, aleanca më e madhe ushtarake që historia ka njohur, na solli prapë në vendin tonë. Tani unë isha ajo që po ua komunikoja serbëve urdhrin që të çarmatoseshin dhe ta lëshonin pikën kufitare. Komandanti i policisë kufitare më kërcënoi. Me shikim kanosës tha: “Kush je ti më urdhërosh ta lëshoj vendin tim”? Nuk pata kohë t’i them që ky ishte urdhri i KFOR-it, sepse komandanti britanik njohu kërcënimin e tij ndaj pa humbur kohë beri një hap para tij dhe ia drejtoi armën duke m’u lutur që t’ia përkthej se çfarë kishte thënë! Pas kësaj e paralajmëroi se kishte autorizim ta gjuante nëse kërcënon verbalisht apo fizikisht përthyesin e tyre. Komandanti serb u zbut dhe dorëzoi armën. Madje, pyeti nëse duhet ta dorëzojë edhe këllëfin.

Çarmatosja e serbëve zgjati me orë. Kisha një ndjenjë të madhe sigurie e gëzimi, emocione që s’i përshkruaj dot. Liria kishte ardhur! Ishte e vërtetë. Një fillim i rendit të ri, koha kur nuk mund të bredhte kushdo rrugëve me armë për të kërcënuar dhe vrarë, por për të siguruar lirinë e çdo qytetari.

Aty-këtu po dilnin para edhe ushtarë të UCK-së, të lodhur, të cilët u sugjeruan që të mos lëviznin me armë. Pastaj, kolona jonë nisi të gjarpëronte nëpër grykën e Kaçanikut, e rrebeshi i shiut na detyroi të strehohemi në një tendë ku depërtonte uji. Mbaj mend se një nga komandantët liroi vendin e vet ne makinë për të hyrë unë. Ai doli jashtë, në shi.

Para nesh po shfaqej mjerimi, frika e tmerri që kishin krijuar forcat serbe. Ato forca tani po iknin, para se ushtarët britanikë të shfaqeshin. Derisa kolona jonë përparonte në brendi të Kosovës, njerëzit, ngadalë e me drojë, të pasigurt por me shpresë, filluan të na dalin para e të na përshëndesnin, të na prisnin me gëzim dhe shpesh me lule për ushtarët. Fjala nuk ka fuqi të përshkruajë ato fytyra që do të mbesin gjithmonë në kujtesën zemrën time.

Sot, dy dekada pas, ende e ndjej gëzimin e njerëzve qe po i ktheheshin jetës. Ishte një ditë e gjatë dhe e paharrueshme. Këtë përjetim, të hyrjes me forcat e NATO-s në Kosovë, nuk e kam përmendur shpesh; e kam ruajtur me kujdes, meqë më dukej që tregimi do ta harxhonte time dashurinë për të. Por, dashuria dhe respekti 12 qershorin po vjen e po rritet.

Sa herë që frynë era, e kujtoj agun e asaj dite kur era m’i rrihte flokët në derën e hapur të helikopterit që së bashku me Gurkat më solli në Kosovë. Në një ditë që ndryshoi historinë, për të jetuar në liri, secili.

Ta gëzojmë lirinë dhe vendin tonë të bukur, me punë, dashuri dhe përpjekjet që çdo gjeneratë të krenohet me shtetin tonë.

Vendi im, të dua!

Exit mobile version