Site icon Telegrafi

Dita më e nxehtë e regjistruar ndonjëherë

Temperatura mesatare globale ka arritur një maksimum të ri për herë të tretë brenda një jave, tregojnë të dhënat jozyrtare, raporton BBC-ja.

Të dhënat e analizuara nga një grup shkencëtarësh amerikanë, tregojnë se temperatura mesatare globale, të enjten, më 6 korrik, ishte 17.23 gradë Celsius. Kjo theu rekordin e shënuar ditën e hënë, kur temperatura ishte 17.01 gradë dhe një ditë më vonë, kur ishte 17.18 gradë Celcius.

Të dhënat u matën në Universitetin amerikan në Maine, bazuar në një mjet që mat të dhënat satelitore dhe simulimet kompjuterike për matjen e gjendjes.

Shkencëtarët thonë se temperaturat janë shkaktuar nga ndryshimet klimatike të shkaktuara nga njeriu dhe modelet natyrore të motit, të njohura si El Nino.

El Nino nxitë ciklonet tropikale në Paqësor dhe rrit reshjet.

Kjo ndodh çdo tre deri në shtatë vjet dhe gjatë fazës së ngrohjes, ujërat më të ngrohta dalin në sipërfaqen e Paqësorit dhe e shtyjnë nxehtësinë në atmosferë.

Robert Watson, shkencëtar dhe ish-kryetar i Panelit ndërqeveritar të Kombeve të Bashkuara për ndryshimet klimatike, tha se qeveritë dhe sektori privat “nuk janë vërtet të përkushtuar për të adresuar ndryshimet klimatike” dhe nuk janë të përkushtuar as qytetarët, tha ai.

“Ata po kërkojnë energji të lirë, ushqim të lirë dhe nuk duan të paguajnë koston reale të ushqimit dhe energjisë”, tha Watson.

Të dhënat për rritjen e temperaturës nuk janë të dhëna zyrtare të qeverisë, por janë tregues të ndryshimit të temperaturës. Shërbimit amerikan meteorologjik Administrata kombëtare për oqeane dhe atmosferë tha se nuk mund të konfirmonte informacionet që dalin nga simulimet kompjuterike, por pranoi se jemi në një periudhë të ngrohtë “për shkak të ndryshimeve klimatike”.

Para kësaj jave, rekordi ishte thyer për herë të fundit në gusht të vitit 2016.

Ekspertët paralajmërojnë se shumë shoqëri nuk janë përshtatur ende me nxehtësinë më ekstreme dhe efektet që ajo ka tek njerëzit dhe mjedisi. Ata paralajmërojnë gjithashtu se është jashtëzakonisht nxehtë dhe se rekordet e nxehtësisë, me shumë gjasa, do të thyhen këtë verë.

Qershori i kaluar ishte qershori më i ngrohtë në nivel global, kur bëhet fjalë për temperaturat e detit dhe ajrit, theksojnë nga Shërbimi për ndryshime klimatike Copernicus, i cili mbështetet nga Bashkimi Evropian. /REL/

Exit mobile version