Site icon Telegrafi

“Dita e Matematikës” – thirrje për eksplorim e mendim kritik

14 Marsi njihet si Dita Ndërkombëtare e Matematikës.

Entuziazmi për këtë ditë nuk i prek vetëm matematikanët e njohur, por edhe nxënësit të cilët e mësojnë dhe e duan atë.

Me shumë pasion, nxënësit e shkollave fillore të Prishtinës, si “Meto Bajraktari”, “Hasan Prishtina”, “Ismail Qemali”, “Shkëndija” nga Hajvalia dhe Gjimanzi i Specializuar Matematikor, kishin sjellë vepra të ndryshme arti, të cilat i kishin ekspozuar në këtë të fundit.

Ky aktivitet u organizua nga shtëpia botuese “Dukagjini” në bashkëpunim me Institutin për Promovimin e Metodës Shkencore, përkrahur nga Drejtoria Komunale për Arsim e Komunës së Prishtinës.

Artan Krasniqi nga shtëpia botuese “Dukagjini” ka thënë se ata vazhdimisht po mundohen të sjellin aktivitete të tilla që ndihmojnë në rrugëtimin e nxënësve drejt dijes.

Drejtorja e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Besianë Musmurati, ka thënë se ky është shpallur vit i matematikës, duke treguar se në vazhdën e këtyre aktiviteteve do të ketë edhe organizime të tjera.

Gjithashtu, në kuadër të kësaj dite janë ndarë edhe shumë çmime e shpërblime për të gjithë ata që kanë konkurruar.

Sipas drejtores së Gjimnazit të Specializuar Matematikor, Fahrije Latifi-Retkocerit, përmes këtij aktiviteti nxënësit kanë pasur mundësi ta shpalosin potencialin e tyre krijues.

Organizatorët u shprehën se përmes këtij aktiviteti kanë dashur t’i inkurajojnë nxënësit drejt eksplorimit të botës së matematikës.

 

Exit mobile version