Telegrafi

Dita e luftës kundër diabetit: Reagoni me kohë!

Ass.dr.Merita Emini Sadiku,dr.sci
Interniste-endokrinologe

Sëmundja e sheqerit (diabetes mellitus) është një çrregullim metabolik që karakterizohet me
rritje të sheqerit në gjak për shkak të pakësimit, mungesës ose joefikasitetit të insulinës. Kjo sëmundje shoqërohet me komplikime serioze, të cilat prekin fillimisht vazot e vogla të gjakut edhe nervat, e pastaj organet e ndryshme të trupit, si zemrën, veshkat, sytë dhe trurin.

Dieta botërore e diabetit është themeluar me 1991 nga Federata Ndërkombëtare e Diabetit dhe, në vitin 2007, kjo ditë bëhet zyrtarisht Ditë e Kombeve të Bashkuara. Shënimi i kësaj dite më 14 nëntor është bërë për të nderuar ditëlindjen e zbuluesit të insulinës shkencëtarit kanadez dr. Frederick Banting.

Çdo vit Federata Ndërkombëtare e Diabetit, zgjedh temën e kampanjës kundër kësaj sëmundje. Për sivjet dhe dy vitet e ardhshme, tema është: “Të jetuarit e shëndetshëm dhe diabeti”.

Numri i të rriturve që vuajnë nga diabeti në tërë botën ka arritur në pothuajse 382 milion njerëz. Parashikimet janë që në vitin 2025, kjo shifër të arrijë në 592 milion ose çdo i dhjeti person në botë, të jetë me këtë sëmundje. Gjysma e njerëzve me diabet, janë të padiagnostikuar.

Diabeti, sikur në mbarë botën, është mjaft i përhapur edhe në Kosovë. Përqindja e saktë e popullsisë së prekur nga kjo sëmundje nuk dihet, por duket të jetë e njëjtë me vendet e rajonit,
diku rreth 3-6 % e popullsisë.

Shumica e rasteve me diabet tip 2, mund të parandalohen dhe komplikimet serioze të diabetit mund të shmangen me anë të stilit të shëndetshëm të jetës.

Mesazhet kryesore të kampanjës së sivjetme në mbarë botën janë:
▪ Të ushqyerit e shëndetshëm është një zgjedhje e lehtë dhe e drejtë
▪ Të ushqyerit e shëndetshëm fillon me mëngjesin

Kampanja e Ditës Botërore të Diabetit në Kosovë, sivjet udhëhiqet nga Shoqata e Endokrinologëve dhe Diabetologëve të Kosovës dhe Klinika e Endokrinologjisë së Qendrës Klinike Universitare të Kosovës. Qëllimi i kësaj kampanje është sensibilizimi për sëmundjen dhe rrezikun e saj, si dhe të jetuarit e shëndetshëm me qëllim të parandalimit të kësaj sëmundje. /Telegrafi/