Përfaqësuesja e Kosovës do të zbres në fushën e stadiumit Vasil Levski stadium për ta zhvilluar ndeshjen e tretë në eliminatoret për ‘Euro 2020’.
Dardanët do të kenë përballë Kombëtaren e Bullgarisë, në një ndeshje që pritet të jetë vendimtare për të dyja ekipet përfaqësuese.
Bullgarët kanë zhvilluar tri ndeshje deri më tani ku kanë dy barazime dhe kanë pësuar një disfatë.
Në anën tjetër Përfaqësuesja jonë në dy ndeshjet e para ka marrë dy barazime, 1-1 në shtëpi ndaj kundërshtarit të sotëm Bullgarisë dhe në udhëtim te Mali i Zi.
Kjo pritet të jetë ndeshje vendimtare për dy ekipet, për të pasur më të qartë objektivat për një kualifikim të mundshëm në Euro 2020.
Në stadiumin Vasil Levski pritet të jenë të pranishëm rreth 44 mijë tifozë sa është kapaciteti i tij.
Bullgarët janë të plotë në këtë takim, ndërsa Kosova do të ketë mungesa të mëdha si Herolind Shala, Hekuran Kryeziu, Valon Berisha dhe Arbër Zeneli që pësoi lëndim në ndeshjen ndaj Malit të Zi.
Danezi Mads-Kristoffer Kristoffersen do të jetë gjyqtari kryesor i këtij takimi, ndërsa ndihmësit e tij do të jenë Dennis W. Rasmussen dhe Victor Skytte.
Ndeshja mes Bullgarisë dhe Kosovës do të zhvillohet me fillim nga ora 20:45. /Telegrafi/