Site icon Telegrafi

Dita e Kadriut

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, sot pritet të zgjidhet kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK). 160 delegatë të Konventës së partisë më të madhe politike në vend do të votojnë për zgjedhjen e pasardhësit të Hashim Thaçit në krye të partisë, e i cili pritet të jetë Kadri Veseli, si i vetmi kandidat zyrtar për këtë pozitë. Drejtuesit e kësaj partie thonë se çdo person i interesuar për këtë post ka pasur mundësinë të kandidojë, pasi thonë se gara ka qenë e hapur për rreth dy javë.

Sekretari i përgjithshëm i PDK-së, Basri Musmurati, ka thënë për “Zërin” se janë bërë përgatitjet për organizimin e Konventës në të cilën do të zgjidhet pasardhësi i Hashim Thaçi në krye të kësaj partie.

“Ne i kemi bërë të gjitha përgatitjet për fillimin e Konventës, që do të fillojë të shtunën në orën 11:00, do të marrin pjesë delegatët, që janë mbi 160. Në këtë konventë kemi disa pika të rendit të ditës, por kryesorja është zgjedhja e kryetarit të ri të PDK-së. Për shkak të zgjedhjes së ish-kryetarit, Hashim Thaçi, për president të vendit, tani e kemi obligim statutar dhe sipas ligjit të partive politike për ta plotësuar këtë vend”, ka deklaruar Musmurati.

Më tej ia ka bërë të ditur se deri të premten vetëm Kadri Veseli ka paraqitur kandidaturën për kryetar të partisë. Musmurati gjithashtu ka thënë se përveç zgjedhjes së kryetarit do të ketë edhe disa propozime për ndryshimin e Statutit të Partisë./Zeri/

Exit mobile version