Prezenca e politikanëve në derbin e së enjtes në stadium, do t’na i rikujtojë premtimet e parealizuara për stadiumin
A i rëndon ata ky premtim, i përsëritur tash e 17 vjet?
Sigurisht që jo, për sa kohë e shfrytëzojnë stadiumin dhe derbin për promovime politike gjatë fushatës.
Me ardhjen e muajit tetor dhe zgjedhjeve lokale, në publik dalin edhe gënjeshtarët më të mëdhenj të popullit të Kosovës. Janë ata politikanët të cilëve aq më shumë që u besojmë, aq më shumë na dëshpërojnë.
Si një gazetar i sportit dhe qytetar i Gjilanit, më intereson më së shumti t’i dëgjoj fjalët e votë-kërkuesve për sportin në përgjithësi.
Qyteti i Gjilanit njihet për derbin më të madh lokal në Kosovë, mes dy skuadrave shumë mirë të organizuara, si Drita dhe Gjilani, të cilat do të jenë përballë njëra-tjetrës këtë të enjte në ‘stadiumin evropian’ – kështu po i them unë, sepse na kanë gënjyer politikanët se stadiumi do të jetë kësi lloji.
Premtime për renovimin e stadiumit ka pasur nga çdo qeverisje e Gjilanit të pasluftës, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur asnjëherë.
Përpos fushës, tribunat e stadiumit dhe teshatoret e futbollistëve nuk duan koment, pasi nuk plotësojnë as kushtet minimale për një ndeshje futbolli.
Vendi për gazetarë është i tmerrshëm dhe nuk plotëson asnjë kusht që një gazetar ta kryejë punën e tij.
Së fundmi, janë publikuar disa fotografi se si në vitin 2020 në qytetin e Gjilanit do të ndërtohet një stadium evropian. Shpresojmë që një gjë e tillë të ndodhë, por kam frikë se edhe në vitin 2021 do të shkruhet se si politikanët kanë gënjyer banorët e Gjilanit të cilët jetojnë me futbollin.
E keqja më e madhe është se në çdo derbi tribuna e ashtuquajtur ‘VIP’ do të mbushet me gënjeshtarët më të mëdhenj në Kosovë. Aty nuk ka vend as për kryesi të klubeve të cilët qëndrojnë në këmbë; nuk ka vende as për gazetarët sportivë të cilët janë në çdo ndeshje në stadium. Ditën e derbit këta të fundit duhet ta ndjekin nga tribunat e tifozëve.
Ky derbi do të jetë më i veçantë për kandidatët për kryetar të Komunës, pasi jemi afër zgjedhjeve dhe premtimet vetëm sa bëhen më të mëdha.
Si një person që nuk më intereson fare politika, e kam vetëm një kërkesë për ju kandidatë për kryetar komune: bëni diçka më shumë për qytetin e futbollit, bëni diçka më shumë që rinia e këtij qyteti të ketë më shumë terrene sportive e mos të merret me lëndë narkotike.
Edhe një lutje: aman, mos hajdeni në stadium të enjten, sepse derbin më të bukur në Kosovë, prezenca juaj do ta shëmtojë shumë.