Sot shënohet Dita Botërore e Sindromës Down, 21 Mars, një ditë globale e ndërgjegjësimit e cila është vëzhguar zyrtarisht nga Kombet e Bashkuara që nga viti 2012.
Data për këtë ditë që është dita e 21-të e muajit të 3-të, u zgjodh për të treguar veçantinë e trefishimit – trisomia e kromozomit 21 i cili shkakton sindromën, transmeton Telegrafi.
Down Syndrome Kosova, në një postim në Facebook, ka thënë se të gjithë fëmijët meritojnë mundësi të barabarta.
“Të gjithë fëmijët meritojnë mundësi të barabartë për zhvillimin e plotë, përfshirë pjesëmarrjen aktive në aktivitete kulturore dhe sportive, që janë pjesë të rëndësishme të integrimit dhe zhvillimit të tyre”, thuhet në njoftimin e tyre.
Gjithashtu, Down Syndrome Kosova ka ngritur edhe disa shqetësime që fëmijët të kenë mundësi të angazhohen në aktivitete kulturore dhe sportive.
“Edhe sa kohë duhet të presim për të siguruar që të gjithë fëmijët të kenë mundësinë të angazhohen në aktivitete kulturore dhe sportive? Çdo fëmijë ka të drejtë të shprehë talentin e tij/saj dhe të kontribuojë në shoqëri përmes aktiviteteve kulturore dhe sportive”.
“Për të na ndihmuar të mbajmë gjallë shërbimet për fëmijët dhe të rriturit me sindromën Down në Kosovë dhe aktivitetet e tjera na ndihmoni përmes dhurimit të fondeve nëGoFundMe:https://bit.ly/4ihkU9H apo përmes dërgimit të SMS në 55550 me tekstin: Me Zemër. Një SMS kushton 1 euro dhe mund të dërgohet vetëm nga numrat e VALA deri më 21 mars”. /Telegrafi/