Sot është Dita Botërore e Malaries, e cila është sëmundje infektive që shkaktohet nga pickimi i insekteve, kryesisht i mushkonjave.
Ditë më parë shkencëtarët kanë treguar se në Malawi të Afrikës ka nisur testimi i vaksinës së parë kundër sëmundjes së malaries, fillimisht për t’i dhënë mbrojtje të pjesshme fëmijëve.
Vaksina RTS, S trajnon sistemin imunitar për ta sulmuar parazitin e malaries, i cili përhapet nga kafshimet e mushkonjave.
Rastet e malaries duket të jenë në rritje përsëri pas një dekade suksesi në luftimin e sëmundjes vdekjeprurëse.
“Ky është një moment historik për vaksinimet, kontrollin e malaries dhe shëndetin publik”, tha për BBC Dr, Kate O’Brien nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, transmeton Klan Kosova.
Malawi, është një prej tre vendeve të zgjedhura për këtë projekt-pilot i cili synon të imunizojë 120 mijë fëmijë nën dy vjeç. Dy vendet e tjera, Gana dhe Kenia këtë vaksinë do të prezantojnë në javët e ardhshme.
Malaria vret 435 mijë njerëz në mbarë botën çdo vit, shumica prej tyre fëmijë. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë mbi 250 mijë vdekje regjistrohen vetëm në Afrikë.