Me fushatën “Peceta nuk është luks”, Qendra për Informim Kritik dhe Aksion (QIKA), në ditën ndërkombëtare të higjienës, kanë nisur kampanjën një javore me qellim të heqjes së taksës 18% nga institucionet e Kosovës për pecetat menstruale.
Sipas organizatores nga QIKA, Medinë Dauti, është shumë e rëndësishme që taksa të hiqet pasi siç ka thënë ajo, pecetat menstruale nuk duhet të konsiderohen si tabu apo luks por duhet të jenë të qasshme për secilën femër falas ose zvogëlim të taksës për këto produkte.
“Kjo taksë përpos që është seksiste, njëkohësisht i konsideron produktet menstruale si produkte luksi, ne që katër vite radhazi jemi duke kërkuar të hiqet kjo taksë ose të paktën ta zvogëlojnë meqenëse qasja në produkte menstruale nuk duhet konsideruar si luks. Sot kemi dal me shpërnda peceta menstruale falas në shesh”, tha ajo.
Ajo gjithashtu ka theksuar se QIKA, është munduar në katër vitet e fundit të krijojë fushata për heqjen e stigmatizimit për ciklin menstrual dhe për Dautin e rëndësishme është që edhe institucionet të merren me zgjedhjen e këtij problemi sa më shpejt.
“Kemi dal në shesh për ta festuar ditën ndërkombëtarë të higjienës menstruale, QIKA për të katërtin vit radhazi organizon kampanjën e cila është një javore, kampanja titullohet fushata kundër varfërisë menstruale dhe stigmatizimit të menstruacioneve njëkohësisht në kuadër të kampanjës kemi specifikisht fushatën që e zhvillojmë “peceta nuk është luks” ku përmes kësaj kampanje ne bëjmë thirrje në institucione të Kosovës për ta hequr taksen prej 18% që i taksojnë produktet menstruale”, tha ajo.
Ndërsa për disa nga qytetarët, këto kampanja që janë ndërmarrë nga organizata QIKA janë mjaft të qëlluara dhe e përqafojnë idenë e krijuar për shpërndarjen e pecetave menstruale falas për femrat.
Për Shefkie Deliun kjo kampanjë është e mirë dhe duhet të vazhdohet ndërgjegjësimi i qytetarëve dhe të bëhet përkrahje më e madhe për gjininë femërore në lidhje me ciklin menstrual.
“Unë jam e gëzuar që po dilni kështu e po i përkrahni femrat, shumë, shumë. Ma mirë nuk ka”, tha ajo.
“Kampanja kundër varfërisë dhe stigmatizimit të menstruacioneve”, do të vazhdojë të jetë e qasshme për qytetarët për një javë ditë rresht, në të cilën do të jepen peceta menstruale falas me qëllim të ndërgjegjësimit dhe heqjes së tabuve në lidhje me ciklin menstrual./kp/