Distria Krasniqi ka pësuar humbje në finalen e kampionatit evropian.
Distria Krasniqi është nënkampione e Evropës në kategorinë -52 kg.
Xhudistja jonë fitoi medaljen e argjendtë në Kampionatin Evropian Tel Aviv 2018. Ajo ishte e pafat në finale, duke u mposhtur nga rusja, Natalia Kuziutina, me ippon pas shënimit të artë.
Kuziutina është medaliste e bronztë nga Lojërat Olimpike Rio 2016, derisa për herë të katërt fitoi të artën në kampionate evropiane. Vitin e kaluar u mposht në finale nga Majlinda Kelmendi.
Rrethin e parë, Distria e kaloi pa luftë, në të dytin mundi polaken, Karolina Pienkowska. Në çerekfinale triumfoi ndaj hungarezes, Reka Pupp, derisa në gjysmëfinale mposhti turken, Iren Korkmaz.
Kjo është medalja e parë e argjendtë në një kampionat të tillë për seniorë për Distria Krasniqin, që vlerësohet arritje e madhe. /Telegrafi/