Telegrafi

Distria Krasniqi kualifikohet në gjysmëfinale të Grand Slamit në Budapest – Eliminohen Flaka Loxha, Nora Gjakova dhe Shigeki Nakamura

Distria Krasniqi është kualifikuar në gjysmëfinale të Grand Slamit të xhudos që po mbahet në Budapest të Hungarisë.

Xhudistja jonë ka arritur në gjysmëfinalen e Grand Slamit të Hungarisë në kategorinë deri në 48 kilogramë mposhti në çerekfinale francezen, Shirine Boukli.

Në gjysmëfinale, Distria do të takohet me Shira Rishony të Izraelit.

Krasniqi është garuesja e vetme nga Kosova që sot ka mbetur në garë për medalje, pasi më herët Flaka Loxha dhe Shigeki Nakamura u ndalën në raundin e dytë.

Loxha në kategorinë deri në 57 kilogramë shënoi një fitore për t’u mposhtur më pas nga favoritja me përvojë të madhe Jessica Klimkeit e Kanadasë.

Nakamura në kategorinë deri në 66 kilogramë u ndalë nga kampioni i Evropës, slloveni Adrian Gomboc.

Ndërkohë, Nora Gjakova u mposht në raundin e dytë nga francezja, Helene Receveaux në kategorinë deri në 57 kilogramë. /Telegrafi/