Telegrafi

Distria Krasniqi fiton medaljen e argjendtë në Grand Slamin e Tbilisit

Xhudistja jonë, Distria Krasniqi ka fituar medaljen e argjendtë në Grand Slamin që po mbahet në Tbilisi të Gjeorgjisë.

Distria e ka nisur mirë ditën duke fituar ndeshjet një nga një nga raundi i dytë deri në finale në kategorinë deri në 52 kilogramë.

Pejania fitoi përballjen e parë ndaj Charne Griesel për të kaluar në çerekfinale, ku u takua me belgen Amber Ryheul, të cilën e mposhti pa shumë vështirësi për të kaluar në gjysmëfinale.

Në gjysmëfinale, Distria arriti të mposht me ‘ippon’ gjermanen Mascha Ballhaus për të siguruar finalen e madhe.

Në finale të kategorisë deri në 52 kilogramë, kampionia jonë u ndesh me Diyora Keldiyorova nga Uzbekistani, të cilën nuk arriti ta mposht.

Kështu, Distria pas kësaj humbje u desh të mjaftohet me medaljen e argjendtë në Grand Slamin e Tbilisit.

Ajo ka marr 700 pikë olimpike, drejt rrugës së saj për Paris 2024.

Ndryshe, edhe Nora Gjakova e ka siguruar tashmë medaljen e argjendtë, por synon të artën në kategorinë deri në 57 kilogramë. /Telegrafi/