Distria Krasniqi ka fituar medaljen e bronztë në Kampionatin Evropian të xhudos, që po mbahet në Pragë të Republikës së Çekisë.
Distria mposhti me ippon francezen, Melanie Clement, kategoria deri në 48 kilogramë.
Kjo është medalje e dytë në kampionat evropian për Krasniqin, pas të argjendtës së fituar në “Tel Aviv 2018”.
Krahas medaljes, ‘Disi’ arkëtoi edhe 350 pikë Olimpike për Lojërat Olimpike Tokio 2020, të cilat e mbajnë në pozitën e parë të kategorisë së saj.
Në përgjithësi, Krasniqi shënoi tri fitore dhe një humbje.
Raundin e parë e kaloi pa luftë. Në të dytin mposhti Aisha Gurbanli të Azerbajxhanit, ndërsa në çerekfinale u mposht nga francezja, Shirine Boukli. Në repesazh mposhti rusen Irina Dolgova dhe francezen Clement.
Sot garoi edhe Flaka Loxha, e cila shënoi një fitore dhe një humbje në kategorinë deri në 57 kg.