Ekipi olimpik i Kosovës sot (e martë) mes brohoritjeve dhe duartrokitjeve u prit në Prishtinë nga një numër i madh i qytetarëve, të cilët ishin grumbulluar për t’i përshendetur sportistët tanë.
Kosova u rikthye nga Lojërat Olimpike ‘Paris 2024’ me dy medalje të fituara, që të dyja në sportin e xhudos.
Ishin Distria Krasniqi dhe Laura Fazliu që u stolisën me medalje, kjo e para me të argjendtën ndërsa Fazliu me të bronztën.
Në fjalimin e saj, Distria tha se ndihet shumë krenare që ka arritur t’i sjellë Kosovës një medalje.
“Jam shumë krenare që jam një ndër medalistet që kemi pru medalje për Kosovën dhe po ndihem shumë e lumtur që është medalja e dytë që i sjellë Kosovës nga Lojërat Olimpike”.
“Faleminderit shumë për mbështetjen. Mbështetja juaj ka qenë forca ime dhe është gjithmonë. E di që nuk do të ndalemi me kaq sidomos sporti jonë, shpresoj edhe sportet tjera dhe shpresoj shumë që do të mblidhemi shumë shpesh kështu së bashku t’i festojmë edhe sukseset tjera”, ka thënë ajo.
E, xhudistja Laura Fazliu, e cila i solli Kosovës medaljen e bronztë deklaroi se ndihet krenare për medaljen e fituar.
“Faleminderit që jeni dalë këtu me i festu së bashku medaljet olimpike. Para 10 viteve kur Toni më ka thirrë me u bë pjesë e klubit kur unë u largova prej familjes sepse kjo ka qenë ëndrra ime që të bëhem pjesë e këtij klubi dhe sot me këtë medalje olimpike jam shumë krenare”.
“Faleminderit shumë Tonit, Majlindës, klubit dhe të gjithë atyre që na kanë ndihmuar që të kemi këto suksese”, deklaroi Fazliu./Telegrafi/