Telegrafi

Disney dhe Yahoo gjithashtu po njoftojnë për largime nga puna, si një masë e uljes së shpenzimeve

Bota e teknologjisë po bëhet gati për t’u përballur me rënien në shitje dhe fitim, dhe shumë kompani po shkurtojnë vendet e punës si një masë e uljes së shpenzimeve.

Twitter, Meta, Amazon, Google dhe Microsoft janë kompanitë që deri tani kanë njoftuar për pushime nga puna, dhe tash Disney dhe Yahoo kanë bërë të njëjtat njoftime.

Drejtori ekzekutiv i Disney, Robert Iger, zbuloi se 7,000 njerëz do të pushohen nga puna si pjesë e një “transformimi të rëndësishëm”, ndërsa Yahoo do të shkurtojë 20 për qind të fuqisë së saj punëtore, shifër e cila përkthehet në rreth 1,700 punëtorë – e prej tyre 1,000 do të largohen që në fillim të javës së ardhshme, raporton GSM Arena, përcjell Telegrafi.

Disney punëson 220,000 njerëz, 166,000 në Shtetet e Bashkuara dhe 54,000 ndërkombëtarisht. Iger zbuloi se ai shikoi “çdo aspekt të biznesit të transmetimit” dhe do të punojë në drejtimin e asaj që “të kurojë në mënyrë agresive përmbajtjen e përgjithshme argëtuese”, duke përfshirë rivlerësimin e përmbajtjes lokale dhe globale në përgjithësi.

Raportet financiare zbuluan se rritja solide e parqeve tematike arriti të kompensojë performancën e dobët në biznesin e transmetimit të videove për kompaninë argëtuese.

Duke folur për Yahoo, pothuajse gjysma e shkurtimeve të vendeve të punës do të jetë në njësinë e teknologjisë së reklamave jofitimprurëse të biznesit. Divizioni nuk arriti të përmbushte pritjet, konfirmoi kompania për CBS.

Lëvizja do të “thjeshtonte dhe forconte biznesin e reklamave për një afat të gjatë, ndërsa do t’i mundësonte Yahoo-së të ofrojë vlerë më të mirë për klientët dhe partnerët”, shkruhej tutje në deklaratë. /Telegrafi/