Site icon Telegrafi

Diskutohet shmangia e tatimit të dyfishtë me Kroacinë

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Petrit Selimi ka pritur sot në një takim ambasadoren e re të Kroacisë, Marija Kapitanoviq. Selimi dhe Kapitanoviq diskutuan për marrëveshjen dy palëshe Kosovë-Kroaci që pritet të nënshkruhet së shpejti për shmangien e tatimit të dyfishtë, si dhe për marrëveshjen e bashkëpunimit në fushën e kulturës.

Po ashtu, dy diplomatët diskutuan edhe për mundësinë e thellimit të bashkëpunimit ndërshtetëror me Kroacinë në planin politik dhe ekonomik, njofton kumtesa për media.

“Selimi e falënderoi ambasadoren Kapitanoviq për mbështetjen e vazhdueshme të Kroacisë dhënë Kosovës në rrafshin dypalësh dhe shumëpalësh. Ai e uroi ambasadoren për qeverinë e re kroate dhe për emërimin e saj ambasadore në Kosovë. Zëvendësministri Selimi dhe ambasadorja Kapitanoviq diskutuan një gamë të tërë mundësish për thellimin e bashkëpunimit ndërshtetëror në planin politik dhe atë ekonomik, si dhe në fushat e arsimit, bujqësisë dhe administratës lokale. Gjithashtu, Selimi dhe ambasadorja Kapitanoviq diskutuan marrëveshjet dypalëshe që priten të nënshkruhen së shpejti, duke filluar me marrëveshjen për shmangien e tatimit të dyfishtë dhe marrëveshjen për bashkëpunim në fushën e kulturës”, thuhet tutje në njoftim.

Ndërkaq, ambasadorja Kapitanoviq nënvizoi rëndësinë e nënshkrimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit për Kosovën, si hyrje të shtetit kosovar në marrëdhënie kontraktuale me Bashkimin Evropian, dhe, sipas saj, kjo do të hapë mundësi të reja për projekte konkrete në bashkëpunim sektorial dhe në transferimin e njohurive.

Në fund, ambasadorja përsëriti se Kroacia do të vazhdojë ta mbështesë fuqishëm Kosovën ne proceset integruese evropiane, si dhe në anëtarësimin në organizata ndërkombëtare. /Telegrafi/

Exit mobile version