Telegrafi

Diskutohet për dialogun Kosovë-Serbi

Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) sot organizon tryezë diskutimi me temë “E kaluara, e tashmja dhe e ardhmja: Dialogu Kosovë-Serbi dhe mësimet që lidershipi i Kosovës duhet të përsëris”.

Tryeza e diskutimit mbahet në ora 10:30 dhe ka për qëllim të fokusohet në dialogun Kosovë-Serbi, diskursin e spektrit politik mbi nevojën për të arritur një konsensus të gjithëmbarshëm politik, si dhe mënyrën dhe parimet se si ky proces i brendshëm duhet të rrjedh.

Theks të veçantë do të kenë analizimi i proceseve negociuese të së kaluarës, përfshirë këtu negociatat e Vjenës, si dhe procesin deri tek shpallja e pavarësisë së Republikës së Kosovës, dhe mësimet e nxjerra nga këto procese.

Për më tepër, në këtë diskutim, pritet që panelistët të vënë në pah qëndrimet e tyre mbi idenë e shkëmbimit të territoreve dhe pikat që duhet të përfshihen në marrëveshjen finale me Serbinë.

Panelistë në këtë tryezë do të jenë: Fatmir Sejdiu – Ish president i Republikës së Kosovës në periudhën e shpalljes së Pavarësisë; Jakup Krasniqi – Ish kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës në periudhën e shpalljes së Pavarësisë dhe Hajredin Kuçi – Ish zëvendëskryeministër i Republikës së Kosovës në periudhën e shpalljes se Pavarësisë.