Telegrafi

Diskutohet intensifikimi i bashkëpunimit të Prokurorit të Shtetit me institucionet italiane

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka pritur në takim ambasadorin e Italisë në Kosovë, Antonello De Riu, i cili shoqërohej nga eksperti i Guardia di Financa-s, Giampiero Carrieri dhe eksperti i sigurisë, Enrico Gurnari.

Në njoftimin e bërë për media thuhet se, kryeprokurori Lumezi, njoftoi ambasadorin italian dhe ekspertët përkatës për punën, rezultatet dhe sfidat e Prokurorit të Shtetit në trajtimin e lëndëve penale.

“Po ashtu, pjesë thelbësore e diskutimeve të përbashkëta ishte angazhimi i Prokurorit të Shtetit në forcimin e sundimin të ligjit, me theks të veçantë në luftimin e korrupsionit, krimit të organizuar, sekuestrimin dhe ngrirjen e pasurisë së kundërligjshme, mbështetjen institucionale të investimeve të ndërsjella si dhe bashkëpunimin ndërinstitucional në çështjet e drejtësisë. Në këtë kontekst, palët patën diskutime të frytshme për mundësinë e mbajtjes së trajnimeve të specializuara dhe vizitave studimore për prokurorët në fushën e hetimeve financiare, përkatësisht në trajtimin e rasteve të korrupsionit të nivelit të lartë, krimeve ekonomike dhe rastet e terrorizmit”, thuhet në njoftim.

Më tej në njoftim thuhet se, kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, falënderoi ambasadorin e Italisë, Antonello De Riu, si dhe ekspertin e Guardia di Financa-s, Giampiero Carrieri dhe atë të sigurisë, Enrico Gurnari, për vizitën e zhvilluar në institucionin e Prokurorit të Shtetit, me ç’rast vlerësoi lart ndihmën dhe përkrahjen që Italia e ka dhënë dhe vazhdon ta japë në forma të ndryshme për konsolidimin e sundimit të ligjit në Republikën e Kosovës.

Në fund, bashkëbiseduesit, vlerësuan takimin si mjaft të dobishëm, produktiv dhe konkret për intensifikimin e bashkëpunimit ndërinstitucional. /Telegrafi/