Site icon Telegrafi

Diskutohet avancimi i bashkëpunimit mes komunave të Kamenicës dhe Bujanocit

Kastrati pret në takim kryetarin e Bujanocit Nagip Arifi, diskutojnë për avancimin e bashkëpunimit mes dy komunave

Kryetari i Komunës së Kamenicës Qëndron Kastrati, së bashku me nënkryetarin Faton Jakupi, kanë pritur në takim kryetarin e Komunës së Bujanocit Nagip Arifi, së bashku me stafin e tij.

Në këtë takim është diskutuar avancimi i bashkëpunimit mes dy komunave.

I pari i Komunës duke falënderuar kryetarin Arifi ka thënë se po synohet avancimi i bashkëpunimit mes dy komunave për të ofruar kushte sa më të mira infrastrukturore e sociale.

“Bashkë me nënkryetarin Jakupi, sot mirëpritëm në Kamenicë kryetarin e Komunës së Bujanocit, z.Nagip Arifi, së bashku me kabinetin e tij. Si dy komuna fqinje e kufitare, po angazhohemi që përmes bashkëpunimeve ndërkomunale, të ofrojmë kushte më të mira infrastrukturore e sociale. Ne po synojmë në avancim të bashkëpunimit mes nesh, duke pasë në qendër gjithmonë qytetarin. Kryetarin Arifi e falënderova për vizitën, duke shpresuar që idetë tona për punë të jetësohen së shpejti!”, është shprehur ai.

Po ashtu edhe nënkryetari Jakupi tha se bashkëpunimi me Komunën e Bujanocit për përmirësimin e kushteve të qytetarëve është i mirëpritur.

“Bashkëpunimet e tilla të cilat kanë për qëllim përmirësimin e jetës së qytetarëve të dy komunave janë gjithmonë të mirëpritura. Do të angazhohemi që ky bashkëpunim të arrihet, dhe për këtë falënderoj kryetarin Arifi”, tha ai.

Ndërsa një bashkëpunim të tillë e mirëpriti edhe Kryetari Nagip Arifi, duke thënë se do të punojnë në drejtim të arritjes së këtyre qëllimeve.

Në këtë takim kanë marrë pjesë edhe drejtoresha e Administratës së Përgjithshme Brikenë Ramabaja, u.d e drejtores së Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim Florentina Kryeziu, dhe zyrtarja Elhame Demi.​

Exit mobile version