Sindikata e Pavarur e Minatorëve të Trepçës ka reaguar ndaj deklaratës së zëdhënëses së Komisionit Europian, Maja Kocijançiq, e cila ka thënë se Trepça do të jetë temë e bisedimeve me Serbinë në Bruksel.
Sipas Sindikatës, diskutimi për Trepçën e cenon sovranitetin e Republikës së Kosovës, pasi Trepça është pasuri kombëtare e Republikës së Kosovës.
Kryetar i Sindikatës së Punëtorëve të Trepçës, Shyqyri Sadiku në një reagim në profilin e tij, në rrjetin social Facebook ka thënë se Trepça është e minatorëve.
“Sindikata e pavarur e minatorëve të Trepçës reagon ashpër ndaj deklaratës së zëdhënëses së Komisionit Europian, Maja Kocijancic që Trepça të jetë si temë diskutimi në dialogun në Bruksel. Trepça është e minatorëve, Trepça është pasuri kombëtare e Republikës së Kosovës. Diskutimi për Trepçën cenon direkt sovranitetin e Republikës së Kosovës”, ka shkruar Sadiku, shkruan Telegrafi.
Ndryshe, Kuvendi i Kosovës më 3 shkurt 2019, ka miratuar statutin e Minierës së Trepça Sh.A, ku Qeveria e Kosovës është pronare e 80 për qind të aksioneve dhe 20 për qind pronarë janë punëtorët e Trepçës. /Telegrafi/