Telegrafi

Diskutimi për “një njësi zgjedhore” në Maqedoni kërkon kohë

Mund të duhen deri në 2 muaj kohë, që Kuvendi të ketë në dorë një rekomandim përfundimtar për propozim ndryshimet e mundshme të modelit zgjedhor, për të cilin partitë veçse kanë nisur përplasjet publike.

Në një komunikim joformal me gazetarët, kreu i Kuvendit Talat Xhaferi sqaroi procedurën lidhur me diskutimin publik për Kodin Zgjedhor, si dhe mbërritjen e tij në Kuvend. Vendimi për organizimin e diskutimit publik duhet të merret në seancë plenare, dhe më pas të caktohet trupi përgjegjës për organizimin e diskutimit. Propozimi për një njësi zgjedhore duhet të publikohet, së pari, në mënyrë që palët e interesuara, si ekspertët dhe OJQ-të, të japin vlerësimet e tyre pas përmbushjes së afatit 30-ditor në gazetë.

Kuvendi pritet pastaj të vendosë në bazë të rekomandimeve që do të dalin nga ky diskutim publik.

Propozimi i partive më të vogla parashikon miratimin e modelit proporcional me një njësi zgjedhore dhe pa prag.