Diskriminimi i shqiptarëve të Luginës së Preshevës vazhdon. Rasti i fundit është punësimi sipas konkursit të shpallur në Shtëpinë e Shëndetit në Preshevë, ku u punësuan 8 persona të nacionalitetit serbë, shumica nga komunat e tjera.
Lidhur me këtë ka reaguar kryetari i Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi, Nevzad Lutfiu, i cili thotë se shumica e serbëve të pranuar në Shtëpinë e Shëndetit nuk jetojnë në Komunën e Preshevës.
“Pas shkresës drejtuar Shtëpisë së Shëndetit në Preshevë, ku kërkova informacione zyrtare lidhur me konkursin e fundit, këtë javë mora përgjigje”, shkruan Lutfiu në Facebook, transmeton Telegrafi.
“Nga përgjigja kuptova se në konkursin e fundit, në Shtëpinë e Shëndetit në Preshevë (në qytetin mbi 95% shqiptarë) janë punësuar 8 serbë dhe 9 shqiptarë”.
Sipas tij, pjesa më e madhe e serbëve të punësuar nuk jetojnë në Preshevë.
“Shqiptarët nga Presheva të cilët konkurruan në pozitat e konkursit u refuzuan, pra refuzohen profesionistët e qytetit ndërsa pranohen kuadro nga qytete të tjera”.
“Lidhur me këtë i dërgova shkresë ambasadorit të OSBE në Beograd, z.Jan Brathu, gjithashtu shkresë i dërgova dhe kryeministrit të Shqipërisë z.Edi Rama”, ka shkruar ai. /Telegrafi/