Telegrafi

Disfata e Erdoganit dhe shansi i kurdëve

 Populli turk foli në zgjedhje fjalën e tij demokratike dhe të pushtetshme: ka dy humbës të qartë dhe një fitimtare të qartë në zgjedhjet parlamentare të së dielës. Ata që humbën janë Presidenti i shtetit, Recep Tayyip Erdogan, si dhe partia fetare-konservatore AKP, e mbështetur me të gjitha mjetet në dispozicion prej tij. Partia kurde HDP nga ana tjetër e kaloi për herë të parë kufirin e dhjetë përqindëshit dhe arriti që me meritë të hyjë në Asamblenë e Madhe Nacionale në Ankara. Ky rezultat është i barabartë me një dështim në zgjedhje për të ardhur rëndë për Erdoganin.

Erdogani i vuri të gjitha në një kartë për të arritur objektivin e tij, për ta shndërruar Turqinë në një republikë presidenciale. Duke shkelur detyrimin e tij për qëndrim neutral si president i vendit, për javë të tëra ai vajti kudo në vend për të bërë publicitet për AKP-në. Njëkohësisht, nuk u spraps nga sulmet e shfrenuara verbale kundër partive kundërshtare, madje edhe nga shpifjet për to. Erdogani dhe pasardhësi i tij si kryetar i qeverisë dhe i AKP-së, Ahmet Davotuglu, u ndëshkuan edhe për shpërdorimin e fesë si mjet për të arritur objektivat politike.

AKP-ja, e cila në 2002 nën drejtimin e Erdoganit arriti me 34 për qind të votave fitoren e parë të bujshme, pas rekordeve të viteve të fundit, me gati 50 për qind katër vjet më parë dhe 52 për qind në zgjedhjet e para të drejtpërdrejta presidenciale tani duhet të kënaqet me vetëm 40 për qind të votave. Shumica prej dy të tretash, e shpresuar nga Erdogani si kusht për ndryshimet kushtetuese, për të futur sistemin presidencial në Turqi, tani mund të konsiderohet vetëm utopi.

Humbja e qartë për herë të parë e shumicës absolute e detyron AKP-në që të lidhë koalicione. Përndryshe atë e kërcënon një rol opozitar me pasoja të pasigurta për fatin e mëtejshëm të partisë. Që prej më shumë se 20 vjetësh, të gjitha partitë dikur në qeveri dhe të forta janë kthyer në parti politike të parëndësishme, pasi kryetarët e partive janë bërë presidentë të vendit.

Fitimtarja e mirëfilltë e zgjedhjeve, HDP-ja kurde nuk duhet të flejë asnjë ditë mbi dafina dhe të bëjë gabimin e mbivlerësimit të vetes. Përndryshe, në zgjedhjet e mundshme të parakohshme për Parlamentin në vjeshtë, ajo kërcënohet sërish që të mbesë jashtë Parlamentit. Dy bashkëkryetarët e HDP, Selahattin Demirtas dhe Figen Yüksekdag duhet të jenë të ndërgjegjshëm, që për këtë sukses ata i kanë ndihmuar votat taktike prej të gjitha partive të tjera, duke përfshirë edhe AKP-në. Shumë i madh qe refuzimi për planin e Erdoganit për ta çimentuar pushtetin e tij në të gjitha shtresat e popullatës dhe për ta larguar Turqinë nga demokracia pluraliste.

HDP duhet të ofrojë dëshminë për pretendimin e fiksuar edhe në emrin e saj, për të qenë një parti demokratike e të gjithë popujve. Ajo duhet t’i bindë njerëzit, se nuk është krahu politik i organizatës militante kurde, PKK. Pas vdekjes së më shumë se 40.000 vetëve, të cilët kanë humbur jetën që prej vitit 1984 në luftimet midis PKK dhe shtetit turk, nacionalistët e majtë dhe të djathtë janë në përgjim të shansit të tyre për ta nxjerrë HDP-në sërish nga Parlamenti. Pasoja fatale për HDP-në mund të kishte përpjekja, që me anë të taktikave politike të arrijë lirimin e udhëheqësit të PKK-së, Abdullah Öcalan, të arrestuar që prej 16 vjetësh.

Po kaq i hidhur sa është medikamenti që duhet të gëlltisin tani Erdogani dhe AKP, po kaq e rrezikshme do të ishte mendjemadhësia për tri partitë opozitare. Ato janë vetëm përfituese të arrogancës politike të Erdoganit dhe të AKP-së, të cilave hëpërhë iu tregua kufiri.