Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj pas përfundimit të takimit me kryetarët e komunave në kuadër të Forumit Konsultativ Qeveri-Komuna, tha se u njoftuan me disa tema që i preokupojnë komunat, për të cilat Qeveria mund të ndërmarrë veprime konkrete.
Sipas tij, ka ende shumë punë, por që janë duke punuar në drejtim të duhur.
Haradinaj tha se disa çështje vendimmarrëse po krijojnë konflikte në raportin e qeverisë me komunat.
“Nuk i kam thirr për vërejtje se nganjëherë po mendohet se krejt është me dhënë leksion, unë po mundohem me i marr vesh temat edhe mundësisht se çka mund të bëjë Qeveria për këto tema, disa i kemi zgjedh vërtet i kemi zgjedhur disa, ka komuna që kanë zgjedhur më shumë , disa më pak prapë po mësojmë për tema tjera. Ka njëfarë anomalie të vendimeve të nivelit nacional e pastaj që i nxjerrin problem komunave..Kjo Qeveri vërtetë është e hapur që temat me i mbledh në tavolinë dhe veç e veç me listë të temave po merremi, mirëpo ka disa procese vendimmarrëse që merret një vendim nacional por është në konflikt me çka e ka obliguar komunën , pra komunës ia ka paraparë një formë të veprimit, ndërsa komuna një tjetër”, tha Haradinaj.
Pas këtij takimi kryetari i komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri u shpreh se kontratat kolektive dhe ndërtimet pa leje janë çështje problematike për komunat.
“Kontratat kolektive janë njëra prej problemeve që ministritë e linjës dhe Qeveria e merr obligimin ndërsa impakti financiar e ka komuna drejtpërsëdrejti dhe ne nuk kemi mbulesë është çështja e pagave jubilare, ushqimit të arsimtarëve. Problemi i teatrove të qyteteve është njëra prej çështjeve që kryeministri ka marr veprime konkrete, ndërtimet pa leje dhe probleme tjera që janë sistemore për komuna”, ka thënë Haziri.
E para se të filloj takimi i Forumit Konsultativ Qeveri-Komuna kreu i ekzekutivit tha se falë këtyre takimeve kanë arritur të ndërmarrin mbi 50 veprime që janë në dobi të punës se komunave që i përket kryesisht aspektit të pronave dhe aspektit buxhetor./Telegrafi/