Të paktën 45 njerëz kanë vdekur dhe dhjetëra janë lënduar kur një aeroplan i Forcave Ajrore të Filipineve u rrëzua dhe shpërtheu në flakë pasi “humbi pistën” në jug të vendit.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, Departamenti i Mbrojtjes Kombëtare tha se 45 njerëz ishin vrarë, përfshirë tre civilë në tokë, ndërsa 53 u plagosën, përfshirë katër civilë.
Pesë nga personeli ushtarak ishin ende të zhdukur.
Siç bëhet e ditur më tej, aeroplani i transportit C-130 Hercules kishte të paktën 96 persona në bord kur u rrëzua mesditën e së dielës.
Ndërkohë sipas ushtrisë, tre pilotët që ishin në bordin e avionit i mbijetuan përplasjes, por u plagosën rëndë.
Më parë, gjenerali Cirilito Sobejana u tha gazetarëve se të paktën 40 njerëz janë shpëtuar nga rrënojat e djegura të C-130.
“Ne jemi duke u lutur që të mund të shpëtojmë më shumë jetë”, tha Sobejana. “Avioni humbi pistën dhe ai po përpiqej të rimarrë fuqinë por dështoi dhe u rrëzua”.
Disa ushtarë u panë duke kërcyer nga avioni përpara se të rrëzohej dhe të shpërthente në periferinë e aeroportit, thanë zyrtarët ushtarakë.
Aeroplani ishte një nga dy ish-avionët e Forcave Ajrore të SH.B.A.-së dorëzuar Filipineve si pjesë e ndihmës ushtarake këtë vit. /Telegrafi/