Telegrafi

Sulm në një xhami në Kuebek të Kanadasë, disa të vrarë

Policia në qytetin Kuebek ka thënë se disa persona janë vrarë gjatë një sulmi me armë zjarri në një xhami të qytetit.

Sulmi është kryer gjatë kohës së lutjeve ndërsa ai po cilësohet si “vepër terrorizmi ndaj myslimanëve”.

Zëdhënësi i policisë ka thënë se dy persona janë arrestuar për sulmin që ka ndodhur më 29 janar.

Udhëheqësi i xhamisë në qytetin kanadez ka thënë se së paku 5 persona janë vrarë. Disa media kanë raportuar se në fakt janë 6 viktima.

Një zyrtar tjetër policor ka konfirmuar se ka të vrarë nga sulmi, por nuk ka dhënë shifra për këtë.

Udhëheqësi i Kebekut, Philippe Couillard, e ka përshkruar sulmin si “dhunë barbare” ndërsa ka thënë se kjo ka qenë “vepër terrorizmi ndaj myslimanëve”.

Kryeministri kanadez, Justin Trudeau, ka shkruar në Twitter: “Sonte, kanadezët janë në zi për ata që u vranë në një sulm frikacak ndaj një xhamie në qytetin e Kuebekut. Bashkëndjejë me viktimat dhe familjet e tyre”.

Një dëshmitar i ka thënë Reutersit se 3 sulmuesit kanë shtënë ndaj 40 personave brenda Qendrës Kulturore Islamike të qytetit në fjalë.

“Pse po ndodh kjo këtu? Kjo është barbare”, ka thënë për gazetarët udhëheqësi i xhamisë, Mohamed Yangui.

Yangui ka thënë se ai nuk ka qenë në xhami në kohën e sulmit. Ai ka shtuar se nuk e di saktë numrin e të lënduarve.

Zebida Bendjeddou, që është larguar më herët nga xhamie mbrëmjen e së dielës, ka thënë se qendra pranonte kërcënime.

“Në qershor, ata e vendosen kokën e një derri para xhamisë. Por, ne menduam: ‘Oh, kjo është një ngjarje e izoluar.’ Nuk e morëm seriozisht. Por, sonte, këto ngjarje të izoluara, morën kahje tjetër”, ka thënë ajo.

Në New York, policia ka thënë se ka shtuar patrullimet afër xhamive dhe vendeve të tjera të kultit. /Rel/