Telegrafi

Disa të vdekur dhe të tjerë të zhdukur – pas tërmeteve shkatërruese, Turqia juglindore goditet nga përmbytje të mëdha

Të paktën 13 persona kanë gjetur vdekjen dhe pesë janë raportuar të zhdukur pasi përmbytjet e shkaktuara nga shirat e rrëmbyeshëm shkaktuan kërdinë në dy provincat juglindore të Turqisë.

Dhe sipas mediave turke, përcjell Telegrafi, bëhet fjalë për zona tashmë të shkatërruara nga tërmetet e muajit të kaluar.

Siç raportohet më tej, dy qytetarë gjetën vdekjen në qytetin Tut në provincën juglindore Adıyaman, ku ujërat e rrëmbyeshëm “fshinë” një shtëpi kontejnerë ku jetonin një grup të mbijetuarish nga tërmeti, tha guvernatori Numan Hatipoğlu.

Ndërsa përmbytjet në provincën fqinje Shanlıurfa vranë katër të tjerë, tha guvernatori Salih Ayhan për transmetuesin privat HaberTürk.

Më vonë gjatë ditës, numri i personave që humbën jetën në Şanliurfa është rritur në 11.

Ministri i Brendshëm Süleyman Soylu, duke ekzaminuar zonat e shkatërruara nga përmbytjet në Adiyaman, tha: “Katër qytetarë u përfshinë në ujërat e përmbytjeve; njëri prej tyre është një fëmijë 1.5 vjeç. Fatkeqësisht një person ka ndërruar jetë”.

Shkollat në Şanliurfa u anuluan të mërkurën për shkak të reshjeve të shiut, i cili pritet të vazhdojë në të gjithë qytetin.

Autoriteti i Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave (AFAD), policia, xhandarmëria dhe ekipet e bashkisë vazhdojnë të evakuojnë zonat me rrezik përmbytjeje.

Shërbimi Meteorologjik Shtetëror Turk (TSMS) publikoi raportin e tij të parashikimit të motit për 14-20 mars, duke lëshuar një “paralajmërim portokalli” për rajonin juglindor, i cili së fundmi u shkatërrua nga dy tërmete të fuqishme.

Provincat Adıyaman, Diyarbakır, Elaziğ, Malatya, Kahramanmaraş, Mardin, Sivas, Şanlıurfa dhe Kilis ishin ndër zonat “me ngjyrë portokalli” për një shi të mundshëm ekstrem. /Telegrafi/