Site icon Telegrafi

Disa popuj edukohen me kultin e gënjeshtrës dhe disiplinën e harresës

Thënie nga: Boualem Sansal (pjesë nga vepra E fshehta e muxhahedinit gjerman)
Përktheu: Nonda Varfi

– Masakrat nuk i bën dot me njerëz të ndriçuar, duhet urrejtje, verbëri dhe demagogji. Gjithnjë, kur lindin shtetet ndërtohen nga të çmendur dhe vrasës. Ata vrasin njerëzit e mirë, përzënë heronjtë, burgosin popullin dhe shpallen liberatorë.

– Ujku, kjo kafshë fantastike, kur këmba i bie ne çark, e pret atë me dhëmbë dhe fiton lirinë, të tërën, të paprekur, turbulluese si zanë dashurie ose përpëlitet deri në pikën e fundit të gjakut dhe ngordh i sfilitur dhe mrekullisht i lehtësuar nga dhimbjet.

– Të dish nuk mjafton. Të kuptosh nuk mjafton. Dëshira nuk mjafton. Na mungon diçka që nuk e kemi asnjë gram: vendosmëria. Ne jemi si të internuarit e dikurshëm, të zënë në ingranazhin e komplotit, të mbërthyer nga frika, të magjepsur nga e keqja, presim me te fshehtën e shpresës se do të na shpëtojë bindja.

– Ka disa popuj që edukohen me kultin e gënjeshtrës dhe disiplinën e harresës.

– Besohet se gënjeshtra është mbrojtja sociale më e mirë për popujt, një dhuratë e efektshme për fëmijët rebelë, një mënyrë jetese ngushëlluese për njerëzit e merakosur.

– Vendi është i mbyllur në sënduk dhe shtysa është e njëjtë; sa më shumë fukarenj dhe racistë dhe plot mllef të jenë njerëzit, aq më lehtë i tërheq prej hunde.

– Për mendimin tim asgjë nuk ndryshon për rrugaçët. Është njëlloj, vetëm se rrugaçët e vegjël rriten, të mëdhenjtë trashen dhe ata të vegjlit hiqen si kumbarë të kthyer nga lufta. Ndërsa të tjerët, familjet dhe njerëzit normalë, bëjnë jetën e tyre ; pak punë, pak papunësi, pak spital.

– Kurthi me i rrezikshëm është kurthi qe ti i ngre vetes.

– Ka disa popuj që janë si delet; komandohen o me gisht o me sy.

– Thonë se gjithçka dihet brenda një qyteze. Por, njëkohësisht nuk dimë asgjë, vetëm sa kalojmë pranë njëri-tjetrit, kujtojmë se dimë, jemi në botën tonë, jo në kokën e të tjerëve, ndjekim mendimet tona, pasi mendimet e te tjerëve nuk mbërrijnë te ne, ose mbërrijnë të deformuara nga fjalët e botës. Ne jemi hije, jemi thashetheme për njeri-tjetrin. Mes nesh ka një mur sikundër ka paragjykime thelbësore.

– Kjo botë më duket aq e largët, aq e gënjeshtërt në hallet e saj, e mbledhur kruspull në vetvete, në kundërshtitë e saj, në kënaqësitë e vogla, në çmenduritë e saj, me të cilat ushqehet si një kanibal qe ha veten, pa dyshim me mendje të errësuar nga koha, nga drama e saj, ëndrrat e saj, pafuqia e saj.

– Jam kudo dhe askund. Gjithçka është e ngjashme. Cunami i mondializimit i ka vënë gomë trashëgimive tona, ka fshirë tiparet intime, nuk njeh as njerëzit e tu as botën.

Exit mobile version