Më 10 maj ka hyrë në fuqi Ligji për Ndalimin e Lojërave të Fatit, i cili ishte miratuar nga Kuvendi i Kosovës më 28 mars 2019.
Për kundër kësaj, disa pika të basteve vazhdojnë punën lirshëm në Prishtinë.
Një lexues i Telegrafit e ka dërguar një foto ku tregon se si ende vazhdohet të shtypen tiketa të basteve, ku ishte lëshuar dy ditë pasi që ka hyrë në fuqi ky vendim.
Zëdhënësja e Administratës Tatimore të Kosovës, Valentina Bytyçi, për Telegrafin ka thënë se me shfuqizimin e Ligjit për Lojërat e Fatit janë shfuqizuar edhe kompetencat për monitorim dhe licencim të subjekteve që e kanë ushtruar këtë aktivitet.
Sipas saj, subjekt i cili nuk i përmbahet Ligjit do të merren organet e rendit dhe të drejtësisë.
“Revokimi i licencave është bërë të gjitha subjekteve të lojërave të fatit, që në total janë 46. Administrata Tatimore e Kosovës ju njofton se me datë 10 Maj është shfuqizuar Ligji 04/L 080 për Lojëra të Fatit, për të cilin ATK ka pasur kompetencë që të monitoroj dhe licencoj veprimtarinë subjekteve të lojërave të fatitë në Kosovë. Me shfuqizimin e këtij ligji, shfuqizohen edhe kompetencat që ka pasur ATK për monitorimin dhe licencimin e subjekteve që kanë ushtruar veprimtarin e lojërave të fatit. Dhe pas datës 10 maj çdo subjekt i cili nuk i përmbahet Ligjit 06/L-155 i cili ndalon aktivitetin e lojërave të fatit, do të merren organet e rendit dhe të drejtësisë”, tha për Telegrafin, Bytyçi. /Telegrafi/