Disa orë para debatit të parë me presidentin, Donald Trump, i nominuari për president i partisë demokratike, Joe Biden ka publikuar të dhënat zyrtare rreth shumës së paguar për taksa.
Biden, për shkak të ndarjes së skenës me Trumpin të martën në mbrëmje në Cleveland, ndërmori këtë hap dy ditë pasi New York Times raportoi se Trump kishte paguar vetëm 750 dollarë taksa federale në vitet 2016 dhe 2017 – dhe asnjë në 10 nga 15 vitet e mëparshme, raporton reuters.
Taksat e Bidenin treguan se së bashku me bashkëshorten, Jill paguan më shumë se 346 mijë dollarë në taksa federale dhe pagesa të tjera për vitin 2019 me të ardhura prej gati 985 mijë dollarë përpara se të kërkonin një rimbursim prej gati 47 mijë dollarësh, të cilat, sipas tyre, i kishin paguar më shumë se që nevojitej, transmeton Telegrafi.
Kthimet e taksave të vitit 2019 për kandidaten demokrate për zëvendëspresidente, senatoren Kamala Harris, gjithashtu u publikuan.
“Ky është një nivel historik i transparencës i destinuar për të marr besimin e popullit amerikan se udhëheqësit e tyre do të kujdesen për ta dhe jo për vartësit”, tha zëvendës menaxherja e fushatës së Bidenit, Kate Bedingfield.
Ndryshe, debati do të ndahet në gjashtë segmente – të dhënat e Trumpit dhe Bidenit, Gjykata e Lartë e SHBA-së, pandemia e coronavirusit, ekonomia, integriteti i zgjedhjeve dhe “raca e dhuna” në qytetet e SHBA. /Telegrafi/