Site icon Telegrafi

Disa nga specifikat e Huawei Watch Fit 2

Huawei Watch Fit 2 bëri debutimin global gjatë muajit maj në një ngjarje magjepsëse në Milano, ku gjithashtu u prezantuan edhe Watch GT 3 Pro dhe telefoni i mençur i palosshëm Mate Xs2.

Watch Fit 2 ka një ekran AMOLED me madhësi prej 1.74”, matësin e rrahjeve të zemrës, SpO2 dhe matësin e nivelit të stresit, e gjithashtu mbështet edhe 97 mënyra të ndryshme të matjes së aktivitetit.

Huawei e sjell orën në tre stile të ndryshme, ndërsa GSMArena shkruan se zgjidhja e tyre më elegante është ngjyra Silver Frost, me brez metalik magneti. Vetë brezi 20mm është standard dhe lehtë i zëvendësueshëm, përcjell Telegrafi.

Huawei Watch Fit 2 ka një trup drejtkëndor dhe një kornizë të hollë në të katër anët. Është mjaft kompakte, dhe hyn në kategorinë në mes të orës së mençur dhe brezit të mençur.

Është e pajisur me një buton të vetëm të sheshtë anash dhe ka ekran me prekje, e cila është mënyra e vetme për të operuar me të.

Ora është shumë e lehtë, duke peshuar rreth 30 gram pa brezin metalik. Por edhe me brezin e përfshirë në peshë, mezi se mund ta ndieni atë në kyçin tuaj.

Pjesa e pasme e Watch Fit 2 ka sensorët e shëndetit.

Por kjo orë nuk e mbështet rimbushjen me teknologjinë wireless, dhe ju duhet që në udhëtim ta bartni edhe një kabllo tjetër.

Sa i përket anës softuerike, ndërfaqja e kësaj ore është sistemi operativ Harmony 2.0, sistem të cilin Huawei ka disa vite që e përdor në orët e tyre viteve të fundit.

Huawei Watch Fit 2 ka bateri prej 292mAh. Mund të qëndrojë deri në 10 ditë me një mbushje të vetme nëse fiket AOD.

Çmimet e Watch Fit 2 janë 150, 180 dhe 230 euro, duke u varur se nëse përdoruesi zgjedh brezin fluoroelastomer, brezin klasik me lëkurë apo brezin elegant. /Telegrafi/

Exit mobile version