Telegrafi

Disa nga protestuesit e arrestuar akuzojnë policinë për keqtrajtim dhe vjedhje

Një pjesë e të arrestuarve thanë se policët kishin ushtruar dhunë ndaj tyre duke i shkaktuar lëndime të ndryshme trupore dhe madje, vjedhur edhe paratë që kishin në portofol.

“Zoti gjyqtar përveç se më rrahën në bulevard me arsyen se pse kisha dalë të protestoja, policia vazhdoi dhunën ndaj meje edhe në Komisariat. Përveç kësaj, në Komisariat më morën edhe lekët që kisha me vete, por, që u justifikuan duke thënë, se të kanë rënë rrugës kur po protestoje’, tha njëri nga demonstruesit nga Tirana, i cili u la i lirë nga Gjykata me masën e sigurisë “detyrim për paraqitjeje”, i cituar nga e përditshmja Shekulli.

Disa prej tyre u treguan gjykatësve edhe shenjat e nxira që kishin në trup apo plagët e qepura në Spitalin Ushtarak nga mjekët. Shumë prej mbrojtësve ligjorë të demonstruesve që u paraqiten në sallat e gjyqit shprehën rezerva për arrestimin e tyre, duke paralajmëruar kallëzime penale ndaj efektivëve të Drejtorisë së Policisë si dhe Komisariatet nr. 1, 2, 3 dhe 4 që ndodhen në kryeqytet.

Përveç këtyre pretendimeve, disa nga demonstruesit u thanë gjyqtarëve se me dhunë ishin detyruar të firmosnin deklarata ku pranonin se ishin paguar për të dalë në demonstratë.

“Më kanë rrahur aq sa jam detyruar të pranoj dhe të firmos deklarata që policia I kishte përgatitur, sikur kisha marr lekë për të dal në protestë”, tha një nga të arrestuarit, gjatë seancës, një 25-vjeçar me origjinë nga veriu, me banim në Kamëz, i cituar nga Shekulli. /Telegrafi/