Qeveria e Danimarkës, Partia Popullore Daneze, Partia Popullore Socialiste dhe Partia Popullore Konservatore janë pajtuar për një marrëveshje të re shumëvjeçare financiare për periudhën 2022-2025.
Kjo është marrëveshja në të cilën përfshihet edhe Kosova, ose më saktësisht marrja me qira e qelive të burgut në Kosovë për të burgosurit nga Danimarka.
Në bazë të asaj marrëveshjeje, thuhet se Danimarka do të marrë me qira 300 qeli burgu në Kosovë, për të zgjeruar kështu kapacitetet e burgjeve atje për disa arsye.
Sipas njoftimit të publikuar nga Ministria e Drejtësisë e Danimarkës, kjo marrëveshje do të jetë për një kohë të caktuar, derisa të përmirësohet gjendja me burgjet në Danimarkë.
Në njoftim thuhet se Danimarka përballet me mungesë të vendeve në burgje po ashtu edhe me mungesë të punonjësve.
Ky projekt synon të lehtësojë mbipopullimin e burgjeve në Danimarkë dhe të jap mundësi që burgjet atje të zgjerohen me 326 vende gjatë periudhës kohore 2022 dhe 2025.
The Guardian raportoi se numri i të burgosurve në Danimarkë është rritur me 19% që nga viti 2015, duke arritur në më shumë se 4,000 të burgosur në fillim të vitit 2021 dhe duke tejkaluar 100% të kapacitetit, sipas statistikave zyrtare.
Në të njëjtën periudhë, numri i gardianëve ra me 18% në kombin skandinav me 5.8 milionë banorë, ku të burgosurit me më pak se pesë vjet i shërbejnë zakonisht në burgje të hapura.
“Do të na mungojnë deri në 1000 vende në burgjet deri në vitin 2025,” tha në deklaratë ministri i Drejtësisë, Nick Hækkerup i cili pritet që të hënën të vij në Kosovë për të nënshkruar pikërisht këtë marrëveshje për marrjen me qira të qelive të burgut.
“Me marrëveshjen është rënë dakord që të merren me qira 300 burgje në Kosovë dhe të zgjerohet kapaciteti i burgjeve në Danimarkë për disa qindra vende”, thuhet në deklaratë.
Ndryshe, Ministria e Drejtësisë e Kosovës ka njoftuar sot se janë pajtuar për një marrëveshje me institucionet e Mbretërisë së Danimarkës, respektivisht Ministrinë e Drejtësisë dhe Ministrinë e Bashkëpunimit Zhvillimor për lirimin e një institucioni korrektues me kapacitet për treqind të dënuar.
“Ministria e Drejtësisë zotohet për lirimin e një institucioni korrektues me kapacitet për treqind të dënuar, të cilët do të sjellën nga Mbretëria e Danimarkës. Të dënuarit të cilët do të tranferohen në këtë institucion nuk do të jenë të rrezikshmërisë së lartë. Si kompensim për këtë, Republika e Kosovës përfiton 210 milionë euro, të cilat do të dedikohen edhe në investime kapitale, në veçanti për energjinë e ripërtrishm”, thuhet në komunikatë.
Sipas komunikatës, nga ky kompensim do të përfitojnë në masë të madhe edhe institucionet e drejtësisë, po ashtu edhe Shërbimi Korrektues i Kosovës, ndaj të cilit do të ndikojë në ngritjen e cilësisë dhe infrastrukturës së përgjithshme të këtij shërbimi. /Telegrafi/