Telegrafi

Disa minatorëve u përkeqësohet gjendja shëndetësore

(E plotësuar)

Menaxheri i Kombinatit Trepça, Ahmet Tmava dhe Agim Bahtiri nuk ia kanë arritur që t’i bindin minatorët që ta ndërpresin grevën e tyre e filluar sot në mëngjes.

Minatorët janë ngujuar në horizontin e tetë ku po kërkojnë që Trepça të kthehet nga ndërmarrje shoqërore në atë publike.

Siç raporton korrespodenti i KosovaPress-it disa nga minatorët nuk janë në gjendje të mirë shëndetësore, prandaj një ekip mjekësor gjendet poshtë në horizont ku janë ngujuar minatorët.

Në anën tjetër Tmava dhe Bahtiri kanë qëndruar për më shumë se një orë por kanë dalë pa ndonjë rezultat.

Siç raportohet menaxheri Tmava është nisur drejt flotacionit në Kishnicë dhe Hajvali ku mësohet se edhe minatorët e këtyre flotacioneve kanë hyrë në grevë.

Kryetari i Mitrovicës dhe menaxheri i Trepçës janë takuar gjatë ditës me kryeministrin Isa Mustafa, I cili tha se me veprimet e fundit të Qeverisë Trepça ka shpëtuar nga falimentimi.

Minatorët në Stantërg janë duke pritur edhe udhëheqësit e institucioneve qendrore por një gjë e tillë siç mësohet nuk do të ndodhë. /KP/

 

Read more