Site icon Telegrafi

Disa litarë laku të varur gjenden në objekt, Amazon ndalon punimet – për ata që japin informata, ofron 100 mijë dollarë

Amazon ndaloi ndërtimin në objektin e saj në Windsor, Connecticut të enjten dhe ofroi një shpërblim prej 100,000 dollarësh për informacione – pasi në këto hapësira u gjenden “lake të varura”.

Departamenti i Policisë Windsor ka thënë në një deklaratë se më 27 prill, një mbikëqyrës për kompaninë e ndërtimit që punon në strukturën e Amazon raportoi se “një lak u zbulua i varur në një tra çeliku në katin e dytë të ndërtesës”.

Ndërkohë, dy ditë më vonë, policia gjeti pesë litarë të tjerë “që mund të interpretohen si lak” të varur në kate të ndryshme të ndërtesës, tha departamenti, përcjell Telegrafi.

Një litar i shtatë që mund të interpretohet si një lak u gjet gjithashtu këtë të mërkurë, tha policia.

Departamenti tha se ka konfiskuar një nga litarët për provë dhe po e trajton çështjen si një krim të mundshëm të urrejtjes.

Zëdhënësi i Amazon, Kelly Nantel, tha në një deklaratë dërguar Business Insider: “Ne vazhdojmë të shqetësohemi thellë nga incidentet që ndodhin në vendin e ndërtimit në Windsor dhe kemi urdhëruar mbylljen e tij derisa të vendosen masat e nevojshme të sigurisë”.

“Urrejtja, racizmi ose diskriminimi nuk kanë vend në shoqërinë tonë dhe sigurisht nuk tolerohen nga Amazon – qoftë në një vend në ndërtim si ky, apo në atë që ne veprojmë”.

Nuk ka kamera vëzhgimi në vend, dhe “qindra punonjës” nga kompani të shumta kanë qasje në këto hapësira, ka thënë policia.

Ndërkohë policia e Windsor tha se po mbështetet nga dega e New Haven në FBI në hetimin e saj.

Amazon dhe kompania e zhvillimit të objektit po ofrojnë së bashku një shpërblim prej 100,000 dollarësh për informacionin që mund të rezultojë në gjetjen e përgjegjësve, tha zëdhënësi i kompanisë Brian Griggs në një konferencë shtypi të enjten, sipas USA Today. /Telegrafi/

Exit mobile version