Site icon Telegrafi

Disa drejtori në Maqedoni akoma pa udhëheqës, punëtorët kanë mbetur pa rroga

Agjencia për Komunikime Elektronike, Banka e Maqedonisë për Përkrahje dhe Zhvillim, Komisioni për Letra me Vlerë, Drejtoria për Udhëheqje të Librave Amë, Byroja për Furnizime Publike dhe Muzeu Arkeologjik edhe pas katër muajve nga formimi i qeverisë ende mbeten pa udhëheqës.

Të gjithë këto drejtori sipas marrëveshjes politike i takojnë BDI-së. Hazbi Lika sekretari organizativ nga radhët e BDI-së pranon se kanë probleme për përzgjedhjen e kandidatëve për drejtorë.

“Ne jemi përkushtuar dhe jemi përkujdesur që të gjejmë njerëz sa më të përgatitur sipas dikastereve sipas të cilëve do t’i përfaqësojmë me qëllim që të japim kontributin tonë”, tha Hazbi Lika, sekretar organizativ i BDI-së.

Mosemërimin e drejtorëve më së shumti po e pësojnë të punësuarit. Në Drejtorinë për Udhëheqje të Librave Amë mbi 500 administratorë nuk kanë marrë rrogat e janarit. Që kur ky institucion mbeti pa drejtor, ngeci edhe procedura për lëshimin e rrogave. Nga qeveria nuk tregojnë datë se kur do të emërohen drejtorët e rinj dhe kur administratorët do të marrin rrogat.

Me problemin e njëjtë më herët u ballafaquan edhe të punësuarit në Inspektoratin Shtetëror të Tregut, Inspektoratit Komunal dhe Inspektoratit për Ndërtim, me çka të punësuarit nuk kishin marrë rroga për tre muaj./tv21/

Exit mobile version