Telegrafi

Diplomoi gjenerata e 44-të e Policisë së Kosovës

Në ceremoninë e diplomimit morën pjesë zëvendësministrat e Punëve të Brendshme, Izmi Zeka dhe Ismet Ibishi, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni, drejtori i Përgjithshëm i Akademisë, Ismail Smakiqi, kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Bajram Mulaku, Kryeshefi i Inspektoratit të Policisë së Kosovës, Fitim Shishani, dhe përfaqësues nga institucionet vendore e ndërkombëtare.

Zeka, duke iu uruar të sapodiplomuarve suksese në punë, tha se Policia e Kosovës është e obliguar të garantoj rend dhe siguri për të gjithë qytetarët e Kosovës në gjithë territorin e saj.

Ai vlerësoi se puna e policisë është një ndër punët më sfiduese dhe të rrezikshme, por se “Policia e Kosovës është argumenti më i mirë se këto sakrifica dhe mundime shpaguhen me të arritura të mëdha dhe përkrahje nga qytetarët e Kosovës”.

Ndërkaq, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni, tha polica është mbrojtëse e të drejtave individuale dhe publike, respektues të rëndit dhe ligjit në gjithë Republikën e Kosovës dhe se “Policia e Kosovës duhet të jetë çdo herë shembull i realizimit të objektivave, misionit dhe vizionit të saj”.

Smakiqi theksoi se Akademia e Kosovës për Siguri Publike është qendër më e fortë e të gjitha llojeve të trajnimeve më bashkëkohorë për të gjitha agjencionet e Sigurisë Publike që janë të zbatimit të ligjit.

“Qytetarët me padurim presin inkuadrimin tuaj në Policinë e Kosovës. Meritoni pritjet e qytetarëve dhe ruajeni përjetësisht të drejtën që qytetarin ta shikoni në sy ”, theksoi Smakiqi. /Telegrafi/