– Tragjedia e jonë është se ne kemi liderë që sillen si diplomatë, por jo ndaj shteteve tjera po ndaj popullit i cili ia ka besuar lidershipin, duke e mashtruar atë çdo ditë.
Specia e politikanëve ndahet tre sojesh: liderë, menaxherë dhe diplomatë. Ajo çfarë duhet ta dijë publiku i gjerë është se ku dhe në çfarë situatash futën në përdorim këto cilësi, kur dhe ku vendi ka nevojë për lider, kur dhe ku për menaxher dhe kur dhe ku për diplomat. Shtetet e konsoliduar i vendosin në pozitat e caktuara njerëzit me cilësi përkatëse, Ndërsa në shtetet si puna e Kosovës e Shqipërisë është një rrëmujë e vërtetë në këtë drejtim. Shpesh politikani aty ku duhet të sjellët si menaxher ai sjellët si diplomat dhe anasjelltas.
Moto e diplomatit sipas filozofit francez Jean de La Bruyère (1645-1696), duhet të jetë që t’i mashtrojë të tjerët dhe vetë të mos jetë i mashtruar. Kjo është e natyrshme për shkak se diplomatët vendosën në pozita që të mbrojnë interesat e vendit dhe ata duhet të lëvizin gurë e dru që të fshehin të metat e vendit dhe të vejnë në pah cilësitë e tij. Por fshehja e të metave nuk është detyrë e politikanëve – menaxherë, por është e kundërta, ata duhet t’i vejnë në pah të metat dhe t’i përmirësojnë ato sepse ky është misioni i tyre.
Detyra e liderit është ta drejtojë shoqërinë ashtu si e drejton kapiteni anijen përmes stuhish drejt limanit të dëshiruar.
Tragjedia e jonë është se ne kemi liderë që sillen si diplomatë, por jo ndaj shteteve tjera po ndaj popullit i cili ia ka besuar lidershipin, duke e mashtruar atë çdo ditë.
Për të parë publiku i gjerë se kur një politikan sillet si diplomat dhe ndaj kujt po jap një pasqyrë të asaj se si duhet të jetë diplomati nga mendimet e filozofëve të shquar ku dominon mendimi i francezit Jean de La Bruyère (1645-1696).
Si duhet të jetë diplomati?
Ashtu si lojtari i bixhozit, diplomati nuk e tregon kurrë karakterin apo temperamentin e vet, qoftë për të mos dhënë rast për vërejtje, qoftë për të mos u urryer, qoftë për t’iu mos vënë re shqetësimi ose indiferenca në fytyrë. Karakterin e brendshëm ai duhet t’ia përshtatë pamjes së vet të jashtme në mënyrë që të tjerët ta besojnë sinqerisht.
Diplomati duhet të shfaqet edhe hijerëndë e i pathyeshëm kur përpiqet të fshehë dobësinë, në mënyrë që të tjerët të mos kërkojnë shumë prej tij, por edhe i ngrohtë dhe i afrueshëm për t’u dhënë rast të tjerëve që të kërkojnë prej tij në mënyrë që më vonë të gëzojë edhe ai këtë të drejtë mbi të.
Diplomati duhet të jetë misterioz dhe i pakuptueshëm, të thotë aty-këtu ndonjë të vërtetë të pabesueshme në mënyrë që ta ruaj të vërtetën për rastin kur ajo i nevojitet. Ai duhet të jetë i hapur dhe i sinqertë, në mënyrë që kur t’i duhet ta fshehë atë që tjetri s’duhet ta dijë, të besohet se di gjithçka, dhe të lërë përshtypjen se i ka thënë të gjitha.
Diplomati duhet të flasë rreptë e gjatë për t’i detyruar të tjerët të flasin e njëkohësisht t’i pengojë të tjerët të flasin për atë që atij nuk i intereson të flitet, duke thënë një mori gjërash të parëndësishme e kontradiktore, gjë që në mendjen e të tjerëve shkakton një përzierje të frikës me besimin. Në raste të tjera ai duhet të jetë i ftohtë dhe i heshtur në mënyrë që t’i detyrojë të tjerët të flasin apo të dëgjojnë kur ai flet.
Diplomati duhet të flasë bindshëm dhe i vendosur duke përdorur premtime apo kërcënime me synimin që të shkaktojë luhatje te të tjerët. Ai duhet ose të flasë i pari, për ta penguar fjalimin e kundërshtarit, reagimet e tij për një propozim të bërë si dhe lidhjet midis pjesëmarrësve në bisedë, ose të flasë i fundit për të pasur mundësi të njohë mirë objektin e bisedës, në mënyrë që të dijë ç’të kërkojë e ç’të marrë.
Diplomati duhet të dijë të flasë qartë, por akoma më shumë duhet të dijë të flasë në mënyrë të paqartë, me fjali dykumtimëshme apo fjalë, kuptimi i të cilave ndryshon sipas interesave të tij.
Diplomati duhet të kërkojë pak, kur nuk dëshiron të jap shumë dhe, duhet të kerkojë shumë që të marrë pak e saktë. Në fillim ai duhet të kërkojë imtësira, me synimin që këto mos i llogariten më vonë. Kjo nuk e pengon që më pas të kërkojë diçka më tepër. Ai kurrë nuk duhet të pranojë diçka të rëndësishme që në fillim, nëse kjo më vonë e pengon të fitojë imtësira të cilat së bashku vlejnë më shumë se sa gjëja e parë e ofruar.
Ndonjëherë diplomati kërkon shumë në mënyrë që ta refuzojnë. Pastaj e ka radhën ai t’i refuzojë të tjerët, kur ata të kërkojnë diçka prej tij. Këtu ai shfrytëzon rastin për ta zmadhuar kërkesën e tepruar të fillimit dhe, nëse është e mundur, ta detyrojë kundërshtarin të pajtohet me arsyet e tij për mospajtim si dhe të dobësojë arsyet të cilat përdoren për të mos ia pranuar atë që ai e kërkon me ngulm.
Diplomati duhet të përpiqet vazhdimisht ta zmadhojë atë pak gjë që jep e të injorojë atë që i japin. Ai duhet të paraqesë oferta mashtruese dhe të çuditshme që ngjallin mosbesim dhe që i detyrojnë të tjerët të refuzojnë atë që mund ta kishin fituar. Kështu atij i jepet mundësia që të paraqesë kërkesa të mëdha dhe, atyre që ia refuzojnë, t’u argumentojë se s’kanë pasur të drejtë.
Në disa raste diplomati duhet të japë më shumë nga ç’i kërkohet, në mënyrë që t’i mbesë më shumë nga ajo që nuk duhet dhënë. Ai duhet të lejojë që ta lusin gjatë dhe madje ta merzisin për diçka të rëndomtë, në mënyrë që të mbyllë çdo mundësi për t’i kërkuar dicka më të madhe. Edhe nëse detyrohet të lëshojë pe, këtë e bën me kusht që të ndajë fitimin me ata që e marrin.
Diplomati duhet të flasë për paqe, miqësi, siguri dhe interes të përgjithshëm kurse në të vërtetë duhet të mendojë vetëm për interesin apo për çështjen për të cilën lufton për shtetin e vet.
Diplomati duhet të pajtojë ata që janë në konflikt dhe të ndajë ata që janë në aleancë. Ai duhet të trimërojë të dobëtit dhe të frikësojë të fortit.
Diplomati duhet të bashkojë interesat e shumë të dobëtëve kundër një të forti për të bërë drejtpeshim. Për këtë ai i ndihmon herë njërës palë, herë tjetrës, herë secilës, duke u marrë pastaj shpërblime për shërbimet e bëra.
Diplomati duhet të arrijë të blejë bashkëbiseduesit, duke i vënë në pozitë të tillë që ata të mos e kuptojnë se me lëshimet që bëjnë cenojnë mandatin dhe çështjen e tyre.
Diplomati duhet të lërë kuptimet se nga kjo pikëpamje (e korruptimit) ai nuk është indiferent, madje është i ndjeshëm kur vihet në diskutim suksesi i tij vetiak. Me këtë ai arrin që të tjerët t’i bëjnë propozime të tilla nëpërmjet të cilave ai mund të hetojë mendimet e tyre më të holla dhe synimet e tyre më të sinqërta. Ky mund të jetë mjeti i tyre i fundit, gjë që diplomati duhet ta shfrytëzojë sa të jetë e mundur.
Nëse qëllon t’i dëmtohen interesat në ndonjë pikë ku është arritur marrëveshja, diplomati duhet të ngrejë zërin fort. Akoma më shumë duhet të bërtasë ai në rast se marrëveshja nuk është arritur në mënyrë që t’i detyrojë të humburit të arsyetojnë dhe të tërhiqen.
Diplomati duhet të hiqet sikur edhe lëshimet më të vogla i bën nga dëshira për marrëveshje, sikur këto nuk i ka përgatitur që më parë por i bën aty për aty, gjoja pa dijeninë e eprorit (ministrit, kryetarit, shtetit më të fuqishëm aleat etj.). Ai duhet të përhapë gënjeshtra lidhur me vëllimin e kompetencave të tij, kurse nga ana tjetër duhet të ketë kompetenca të posaçme të cilat i shfaq vetëm atëherë kur çështja e tij vihet në rrezik.
Diplomati duhet që me intrigat e tij të përpiqet të fitojë atë që është e rëndësishme dhe konkrete, duke qenë gjithnjë i gatshëm të flijojë imtësirat, gjërat formale gradat e thata. Ai duhet të jetë i palodhur e flegmatik, i armatosur me trimëri e durim.
Diplomati duhet të jetë i përgatitur për zvarritje, shtyrje, dënim, dyshim, mosbesim, vështirësi dhe pengesa, i bindur se zgjidhjet i sjell koha.
Diplomati duhet të shtiret se ka interesa të fshehta për të ndërprerë bisedimet në një kohë kur është mëse i interesuar që ato të vazhdojnë. Ai duhet të bërtasë dhe të nguli këmbë për përfundimin sa më të shpejtë të bisedimeve atëherë kur nuk dëshiron që ato të ndërpriten. Kur ndodh ndonjë ngjarje me rëndësi, diplomati duhet të theksojë apo të zbehë vlerën e saj, në varësi nga dobia apo dëmi që i sjell ajo çështjes së tij.
Aleatët e diplomatit duhet të jenë koha, vendi, rrethanat, aftësia vetjake apo dobësia bashkëbiseduese.
Në fund të fundit, të gjitha pikëpamjet e diplomatit, parimet, dinakëria dhe zhdërvjelltësia e tij duhet t’i shërbejë një qëllimi të vetëm në dobi të shtetit të tij: të mashtrojë të tjerët dhe vetë të mos jetë i mashtruar.