Site icon Telegrafi

Diplomati i lartë i Kremlinit i thotë ‘nyet’ vaksinës ruse ‘Sputnik V’

Yuri Gribkov, konsull i përgjithshëm në largim i Moskës në Estoni

Mediet shtetërore në Rusi e kanë quajtur vaksinën “Pfizer” kundër COVID-19 si “goditja e vdekjes”, por një diplomat rus është i gatshëm ta marrë atë, duke i thënë “jo” vaksinës “Sputnik V”.

Konsulli i përgjithshëm në largim i Moskës në Estoni, Yuri Gribkov u pa të dilte nga Spitali Qendror Ida-Viru, pasi kishte marrë fshehurazi dozën e dytë të vaksinës së gjigantit farmaceutik amerikan.

Gribkov pranoi se ai po merrte vaksinën “Pfizer” edhe pse qeveria e tij ka nisur një fushatë të gjerë dezinformimi që synon të bind që kjo është joefektive, e rrezikshme apo edhe vdekjeprurëse, veçanërisht kur krahasohet me vaksinën “Sputnik V”.

Një propagandues agresiv është “Tsargrad”, një kanal televiziv në pronësi të Konstantin Malofeev, një oligark ultranacionalist, i cili është sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian për financimin e fushatës pushtuese të Vladimir Putinit në Ukrainë.

Vetëm më 15 janar, në ueb faqen e saj kishte publikuar tetë artikuj që e krahasojnë vaksinën “Pfizer” me vdekjen apo Укол Смерти.

Mediet e kontrolluara nga Kremlini, si RT [Russia Today] dhe Sputnik kanë trafikuar pretendime të ngjashme mashtruese.

Megjithatë thurja e këtyre pjesëve konspirative është pikërisht pjesë e skemave dezinformuese, në këtë rast me stimulimin e shtuar të tregut për rritjen e industrisë farmaceutike ruse në kurriz të konkurrencës perëndimore.

“Ne shohim një sërë lajmesh në ekosistemin mediatik pro-Kremlin nga ‘nuk funksionon’ deri në ‘do të të mbyt’. Qëllimi është gjithmonë i njëjtë: të bindën perëndimorët se nuk mund t’u besojnë sistemeve të tyre, institucioneve të tyre, mjekëve të tyre, medieve të tyre”, thotë Jakub Kalensky, anëtar i lartë në Laboratorin Kërkimor Dixhital i Këshillit të Atlantikut, i cili monitoron dezinformimin.

Përkundër se refuzon ta merr vaksinën “Sputnik V”, presidenti Vladimir Putin ka urdhëruar vaksinimin masiv të rusëve kundër sëmundjes COVID-19.

Nuk është vetëm Putin që refuzon ta merr këtë vaksinë, po ashtu, rreth dy e treta e rusëve nuk duan të vaksinohen. /Telegrafi/

Exit mobile version