Diplomati holandez, Robert Bocsh, ka thënë se situata e krijuar politike në Kosovë nuk duhet të zgjasë shumë, duke dhënë si opsion emrat e tre personave për president të Kosovës.
Bocsh, i cili ishte ambasador i Holandës në Kosovë, ka propozuar tre kandidatë, të cilët sipas tij janë të përshtatshëm për pozitën e presidentit. Ai ka përmendur Fatmir Sejdiun, Veton Surroin dhe Vjosa Dobrunën si kandidatë të mundshëm për postin e të parit të Kosovës, transmeton Telegrafi.
“Fatmir Sejdiu duhet të jetë një kompromis i mirë për postin e presidentit edhe pse ky post edhe për disa vite është i zënë. Ai ka eksperiencë, është i pavarur dhe nuk është i angazhuar në ndonjë parti. Dy të tjerë, që janë krejtësisht të pavarur më shkuan në mend si kandidatë të shkëlqyer janë: Veton Surroi dhe Vjosa Dobruna. Të dy me përvojë në vend dhe ndërkombëtarisht, ata do ta përmirësonin imazhin e vendit”, ka shkruar Bosch në profilin e tij zyrtar në Facebook.
Ndryshe, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës ende nuk kanë arritur të bëjnë koalicion qeverisës. Në LVV thonë se LDK po e kushtëzon marrëveshjen me postin e presidentit.
Ndërkohë seanca konstituive e legjislaturës së shtatë pritet të mbahet më 26 dhjetor./Telegrafi/