Site icon Telegrafi

Diplomati britanik: Ngjarjet në veri kanë komplikuar pozitën e Kosovës

Na ndiqni në dy llogaritë tona në Twitter, Telegrafi.com dhe Telegrafi Sport.

Për 13 ditë me radhë dy pikat kufitare të Kosovës ishin të bllokuara.

Tashmë situata ka ndryshuar por Kosova dhe Serbia vazhdojnë të kenë probleme tjera mes vete.

Diplomati britanik që ka punuar në Bosnjë, Timothy Less ka ngritur dyshime nëse Kosova do të mund të arrijë integrimin e pjesës veriore.

“Ngjarjet që kanë ndodhur së fundi vënë në dyshim nëse Kosova do të mund ta integrojë pjesën veriore të saj. Me një SHBA që po tërhiqet nga rajonet periferike të botës dhe me një ndërmjetësim të ngecur nga BE, Kosova donte ta përdorte çështjen e targave për të treguar autoritetin e saj mbi veriun dhe për ta konsoliduar pavarësinë Brenda kufijve të saj. Megjithatë deri më tani ka dështuar ta arrijë këtë objektiv. Formalisht çështjet janë kthyer në status quo. Serbia bëri një koncesion me targat por nuk ka asgjë konkrete”, deklaroi Less për RTV Dukagjinin, përcjell Telegrafi.

Diplomati britanik thotë se nga zhvillimet e fundit është parë se agresiviteti ushtarak i Serbisë nuk pengohet më nga SHBA e BE.

“Politikisht Serbia ka treguar se mund ta pengojë Kosovën që të integrojë veriun e saj. Po ashtu u tregua se BE dhe SHBA janë të gatshme t’i japin Serbisë shumicën e asaj që kërkon, kur kjo e fundit kërcënohet ushtarakisht. Ngjarjet e kanë komplikuar pozitën e Kosovës dhe nuk është e çartë çfarë mund të bëjë tani ajo, apo të çoj përpara qëllimin e saj kombëtar”.

Mes tjerash Less thotë se Serbia do të njeh një ditë Kosovën por ajo kërkon një kompensim nga perëndimi për këtë gjë./Telegrafi/

Exit mobile version