Site icon Telegrafi

Diplomati britanik ia shpëton jetën kinezes që po mbytej në lumë, pa u menduar dy herë kërceu në ujë – kalimtarët filmuan gjithçka

Diplomati britanik Stephen Ellison është shpallur hero, pasi kërceu në një lumë në Kinë për ta shpëtuar studenten kineze që po mbytej.

60-vjeçari që punon si konsull në Chongqing, po shëtiste në orët e para të mëngjesit të shtunës pranë lumit, kur në afërsi të tij një 24-vjeçare rrëshqiti nga shkëmbinjtë dhe ra në ujërat e thella, transmeton Telegrafi.

Një video amatore e filmuar nga një kalimtar rasti, shihet se si ajo lufton me rrymën e ujit dhe fillon të humb forcën. Në një moment ajo duket se humb edhe vetëdijen.

E aty Ellison pa u menduar dy herë hoqi këpucët nga këmbët dhe u hodh në ujë. Menjëherë ia nxori fytyrën nga uji, në mënyrë që të mund të marrë frymë lirshëm dhe e nxjerr nga uji.

“Ka qenë pavetëdije, nuk merrte frymë dhe u frikësuam për më të keqen. Por kur e nxorëm nga uji, filloi të marrë frymë”, ka shpjeguar Ellison. /Telegrafi/

 

 

Exit mobile version