Nga: Nonda Bulka (qershor, 1932)
Diplomatët e shteteve të mëdha, kur e shohin punën pisk, bëjnë udhëtime … ose mbajnë fjalime; pse jo? As fjalimi, as udhëtimi s’kushtojnë gjë. Një kroko me vezë e qumësht mjafton për të bërë një fjalim të tingëllueshëm. Udhëtimi paguhet prej të tjerëve. Udhëtimet diplomatike s’janë ndonjë shpikje e re.
Më 1914, kur zjarri që do të përvëlonte më vonë botën ishte akoma shkëndijë, Puankareja[1] udhëtonte në Rusi “me letrën e mbretit të Anglisë në xhep”; kur u kthye diplomati plak, shkëndija u bë flakë dhe skuqi fushën e gjelbëruar. Kaizeri gjeti rast për të bërë “yrysh”; por të shkuara të harruara. Në ditët tona udhëtimet diplomatike vazhdojnë. 1931-1932-1933.
Huveri[2] fton Lavalin[3] për rregullimin e borxheve dhe stabilizimin e paqes: Lavali niset e vete … dhe vjen siç vajti. As borxhet u rregulluan, as paqja u stabilizua. Grandi[4] pas Lavalit, viziton botën e re; u kthye me xhepat plot me premtime “Janki”.
Më vonë Briandi[5] me Lavalin vanë në Berlin. Armiqësia franko-gjermane duhej të merrte fund. Por, atje ku shpresonin të piqeshin me hijen pak a shumë pacifike të Stresmanit[6], takuan siluetën luftëtare të Hitlerit. Briandi buzëqesh me ironi. Lavali var buzët me inat. Dhe, mbasi hëngrën drekë dhe dëgjuan fjalime të zjarrta rreth miqësisë të të dy shteteve, u kthyen duke shtuar në aktivin e politikës frënge një “zero me xhufkë”.
Dhe Bryningu[7] vjen në Paris. Kërkon borxh që të paguajë borxhet; vete në kishë, falet si katolik i mbaruar që është; mban fjalime, dëgjon fjalime … dhe kthehet i entuziazmuar nga premtimet. Rezultati: një vërë në ujë, për hesap të aktivit gjerman. Se, premtimet janë si ato “bekimet apostolike” që Papa i dërgoi dikur Kastriotit.
Venizelloja[8] është dhe ai diplomat; përse të mos bëjë dhe ky si shokët udhëtime? Niset “dinaku gjiritli”, siç thonë francezët, troket portë më portë, qan hallet me urtësi, kërkon borxh …
Kam frikë se mos ndonjëherë, udhëtimi diplomatik i shembëllen atij të Puankaresë që bëri më 1914. Atëherë djalli që na mori se, siç thotë populli: “do të lozë qeni i kallanxhiut”.