Mijëra njerëz kanë marrë pjesë në funeralet e 11 nga 12 të rinjtë e vrarë në një sulm me raketa nga Libani që goditi një fushë futbolli në Lartësitë Golan të kontrolluara nga Izraeli.
Ushtria izraelite deklaroi se sulmi ishte më vdekjeprurësi ndaj civilëve në Izrael që nga fillimi i luftës me Hamasin tetorin e kaluar.
Sipas inteligjencës izraelite, përgjegjës për sulmin është grupi libanez Hezbollah, i cili ashtu si Hamasi mbështetet nga armiku kryesor i Izraelit, Irani.
“Hezbollahu, përfaqësuesi i Iranit në rajon, nuk do të shfajësohet për këtë ngjarje, edhe me mohimet e tij absurde. Ata qëlluan, ata do të paguajnë çmimin dhe madje do të paguajnë një çmim të rëndë për veprimet e tyre”, tha Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Yoav Gallant.
Edhe kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se Hezbollahu do të paguajë një “çmim të rëndë” për sulmin, pasi ai ndaloi një udhëtim në SHBA për t’u kthyer në Izrael pas menjëherë pas sulmit dhe për të kryesuar një mbledhje urgjente të kabinetit të sigurisë.
Por, e menjëhershme ka qenë hakmarrja e Izraelit i cili goditi një numër objektivash brenda Libanit, megjithëse intensiteti i tyre ishte i ngjashëm me disa muaj luftimesh ndërkufitare.
Hezbollahu tha gjithashtu se kreu sulme të tjera ndaj Izraelit edhe pse nuk kishte raporte të menjëhershme për viktima, shkruan euronews, përcjell Telegrafi.
Në një lëvizje të rrallë, Hezbollahu nxitoi të mohojë çdo përfshirje në sulmin në Majdal Shams, i cili ka ngjallur frikën për fillimin e një lufte më të gjerë rajonale në Lindjen e Mesme.
Duke folur në Tokio, Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha se nuk kishte “asnjë justifikim për terrorizmin”, por paralajmëroi kundër përshkallëzimit.
“Unë theksoj të drejtën e Izraelit për të mbrojtur qytetarët e tij dhe vendosmërinë tonë për t’u siguruar që ata janë në gjendje ta bëjnë këtë. Por, ne gjithashtu nuk duam të shohim përshkallëzimin e konfliktit. Ne nuk duam ta shohim atë të përhapet. Ky ka qenë një nga synimet tona që nga dita e parë”, tha Blinken.
Ministri i Jashtëm i Libanit, Abdallah Bou Habib, ka njoftuar se qeveria libaneze i ka kërkuar Uashingtonit të kërkojë përmbajtje nga Izraeli, në një përpjekje për të qetësuar situatën.
Qeveria amerikane thuhet se i dërgoi një mesazh Hezbollahut nëpërmjet Bejrutit për të treguar gjithashtu përmbajtje.
Ndryshe, grupi militant filloi të gjuante me raketa Izraelin një ditë pas inkursionit të Hamasit në Izrael më 7 tetor dhe Izraeli i është përgjigjur duke synuar atë që thotë se është infrastrukturë ushtarake e Hezbollahut me sulme ajrore dhe dronë.
Shumica e sulmeve janë kufizuar në zonën në të dyja anët e kufirit, megjithëse Izraeli ka vrarë gjithashtu udhëheqjen e Hezbollahut dhe Hamasit më në veri.
Dhjetëra mijëra njerëz në të dy anët e kufirit janë evakuuar nga zona.
Që nga fillimi i tetorit, sulmet ajrore izraelite në Liban kanë vrarë më shumë se 500 njerëz, kryesisht anëtarë të Hezbollahut, por edhe rreth 90 civilë.
Nga ana izraelite janë vrarë 22 ushtarë dhe 24 civilë. /Telegrafi/