Zyrtarë të lartë të Shteteve të Bashkuara dhe të Koresë Jugore janë takuar, ku kanë biseduar për samitin e dytë ndërmjet presidentit amerikan, Donald Trump dhe udhëheqësit të Koresë së Veriut, Kim Jong Un.
Të enjten, presidenti Trump tha se do të njoftojë shumë shpejt lidhur me datën dhe vendin ku do të mbahet samiti me Kimin, raporton AP.
I dërguari i posaçëm i Trumpit në Korenë e Veriut, Stephen Biegun, ka arritur në Korenë e Jugut sot. Mediat kanë raportuar se ai mund të takohet me zyrtarët verikoreanë javën e ardhshme, me qëllim që të përcaktohen detajet e samitit.
Ministria e Jashtme në Seul tha se Biegun dhe homologu i tij nga Koreja e Jugut, Lee Do-hoon kanë pasur konsultime lidhur me bisedimet ndërmjet SHBA-së dhe Koresë së Veriut.
Mediat në Korenë e Jugut thonë se i dërguari i SHBA-së, Stephen Biegun dhe homologu i tij verikorean, Kim Hyok Chol janë takuar në fshatin kufitar mes dy Koreve, Panmunxhom ose në kryeqytetin e Koresë së Veriut, Phenjan, më herët gjatë kësaj jave.
Pak përparimi është shënuar drejt denuklearizimit të Koresë së Veriut që prej se Trumpi mbajti samitin e parë me Kimin qershorin e kaluar. Gjatë këtij samiti, Kim ishte zotuar se do të punojë drejt denuklearizimit të plotë të Gadishullit Korean.
Vitin e kaluar, Koreja e Veriut pezulloi të gjitha testimet e raketave dhe mbylli qendrat e testimeve bërthamore. Koreja e Veriut po kërkon që SHBA-ja të heqë sanksionet ndaj saj. Por, zyrtarët amerikanë kanë thënë se sanksionet e Uashingtonit do të jenë në fuqi deri në denuklearizimin e plotë të Koresë së Veriut.