Telegrafi

Diplomatët amerikanë në Vjenë raportojnë për simptoma të ngjashme të Sindromës Havana

Qeveria amerikane po heton një seri incidentesh shëndetësore në kryeqytetin austriak, Vjenë, që përfshinë diplomatët e saj dhe stafin tjetër të administratës.

Sipas BBC, përcjell Telegrafi, që kur presidenti amerikan Joe Biden mori detyrën në janar – më shumë se 20 zyrtarët kanë raportuar simptoma të ngjashme të Sindromës Havana – një sëmundje misterioze e trurit.

Megjithëse ende ka paqartësi për sëmundjet, shkencëtarët amerikanë thonë se ka shumë gjasa të shkaktohet nga rrezatimi i drejtuar mikrovalë.

Kjo sëmundje është identifikuar për herë të parë në Kubë në vitin 2016-2017.

Diplomatët amerikanë dhe kanadezë asokohe në Havana u ankuan për simptoma duke filluar nga marramendja, humbja e ekuilibrit, humbja e dëgjimit dhe ankthi te diçka që ata e përshkruan si “mjegull njohëse”.

SHBA-ja akuzoi Kubën për kryerjen e “sulmeve zanore”, të cilat kjo e fundit i mohoi, dhe incidenti çoi në rritjen e tensionit midis të dyja vendeve.

Një studim akademik amerikan i vitit 2019, zbuloi “çrregullime të trurit”, te diplomatët e sëmurë, por Kuba e hodhi poshtë raportin.

Në rastin konkret, rastet në Vjenë së pari dolën në dritë të premten në revistën New Yorker, dhe u konfirmuan më vonë nga Departamenti i Shtetit në SHBA, nga ku deklaroi se “ishte duke hetuar rastin”.

Reuters citoi një deklaratë të ministrisë së jashtme austriake duke thënë se ishte “duke punuar me autoritetet e SHBA-së për të arritur së bashku në një përfundim”. /Telegrafi/