Telegrafi

Diplomacia kosovare në gjumë

Diplomacia kosovare përveç dështimeve të njëpasnjëshme në anëtarësim në organizata ndërkombëtare dhe mossigurim të njohjeve po përballet edhe me mungesë të një numri të madh të ambasadorëve në disa qendra vendimmarrëse evropiane, si dhe në ato rajonale.

Kosova aktualisht nuk ka ambasadorë në Shqipëri, në Britani të Madhe, në Arabinë Saudite, në Austri, në Australi e në Beograd. Po ashtu Ambasada e Kosovës në Londër ka disa muaj që ka mbetur pa ambasador, njëjtë siç ka mbetur edhe ajo në Suedi.

Zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Jashtme kanë thënë që Kosova aktualisht nuk ka ambasadorë fuqiplotë vetëm në Mbretërinë e Bashkuar dhe në Arabinë Saudite, teksa thonë se kanë nisur procedurat për emërim të ambasadorëve në shtetet tjera. Kurse përfaqësues nga opozita dhe nga shoqëria civile kanë thënë se mungesa e ambasadorëve në qendrat kryesore evropiane po ndodh për shkak të papërgjegjësisë së Qeverisë dhe presidentit të Kosovës, shkruan ‘Zëri’.

Ndërkohë ata kanë theksuar se Ministria e Punëve të Jashtme nuk po shkel Ligjin për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Shërbimin Diplomatik të Republikës së Kosovës, që kërkon që së paku 50% të të emëruarve si shefa misionesh të jenë ambasadorë të karrierës, ndërsa pjesa tjetër të jenë të emëruar politikë.